Erdogan vë në dyshim bisedimet për ribashkimin e Qipros: Sot kemi dy popuj

Bota
Erdogan vë në dyshim bisedimet për ribashkimin e Qipros: Sot kemi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka hedhur sërish në dyshim bisedimet për ribashkimin e Qipros, duke përkrahur idenë e ndarjes së vendit mes Turqve dhe Grekëve.

Kreu i shtetit vizitoi të dielën vendin ishullor për të shënuar 37-vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga Republika Turke e Qipros Veriore.

Me ndërhyrjen e Turqisë në vitin 1974, ishulli u nda mes Veriut dhe Jugut që u zotuan pak vite më vonë se do tentonin të unifikoheshin.

Ankaraja deri tani ka refuzuar ta pranojë shtetin e Qipros edhe pse ai është anëtar i BE-së.

“Ka vetëm një viktimë në këtë çështje dhe ata janë turqit e Qipros të cilët janë injoruar dhe u janë grabitur të drejtat për vite me radhë. Sot kemi dy popuj, dy shtete të ndara, dhe pikërisht ne duhet të bisedojmë e negociojmë zgjidhjen me dy shtete të bazuar në barazinë sovrane,” tha Erdoğan

Presidenti Turk adresoi edhe temën e burimeve energjetike, teksa shtoi se Mesdheu Lindor nuk do gjejë paqe dhe stabilitet nëse Ankaraja dhe Republika Turke e Qipros nuk bëhen pjesë e ekuacionit diplomatik.

Ndërsa prezenca e tij u brohorit nga turma qytetarësh të mbledhura me rastin e përvjetorit të pavarësisë, disa banorë protestuan vizitën e kryeshtetarit turk në rezortin turistik të Marashit.

Sipas një rezolute të OKB-së, zona mund të frekuentohet vetëm nga banorët vendës.

Qeveria qipriote shprehu kritika për vizitën e Erdoğan, duke e quajtur provokuese, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, me parimet dhe vlerat europiane, dhe me detyrimet ndaj Bashkimit Europian.

Vetë kryediplomati i BE-së, Xhozep Borel, u kap me deklaratën e presidentit turk për çështjen e dy shteteve Qipriote, duke theksuar se të tilla qëndrime rritin tensionet dhe se për Brukselin, zgjidhja e vetme për mosmarrëveshjet në ishull janë vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

ME TE LEXUARAT