Ndjekje si në filma në rrugët e Shkodrës, trafikantët braktisin mjetin dhe zhduken në pyll, 2 të arrestuar dhe 1 në kërkim

Aktualitet
Ndjekje si në filma në rrugët e Shkodrës, trafikantët

Policia Kufitare e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Hidrovori”, duke arrestuar dy persona dhe shpallur në kërkim një tjetër, ndërkohë që gjatë aksionit, policia ka sekuestruar një sasi lënde narkotike.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit, në kuadër të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, si rezultat i kontrolleve të shtuara në kufirin e gjelbër, në bashkëpunim dhe me Seksionin për Hetimin e Narkotikeve dhe Trafiqeve në DVP Shkodër, kanë finalizuar me sukses operacionin “Hidrovori”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

E. I. 26 vjeç, banues në Shemri, Kukës dhe D. Zh. 19 vjeç banues në Kalimash, Kukës,

Si dhe është shpallur në kërkim shtetasi E. D. 23 vjeç, banues në Shemri, Kukës.

Ne vendin e quajtur “Shina-Hidrovor”, nga punonjësit e Policisë Kufitare, gjatë patrullimeve të shtuara është konstatuar një mjet tip “Ford”, drejtuesi i të cilit, në momentin që ka parë punonjësit e Policisë, ka shtuar shpejtësinë e mjetit duke lëvizur në drejtim të Hidrovorit.

Menjëherë, punonjësit e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit.

Shtetasi E. D. braktisi mjetin dhe bashkë me dy pasagjerët tentoi të largohej në zonën e pyllëzuar në teren malor.

Shërbimet e Policisë Kufitare u vunë në ndjekje dhe bënë të mundur kapjen e dy pasagjerëve, shtetasit E. I. dhe D. Zh, ndërsa drejtuesi i mjetit mundi të largohej. Shtetasi E. D. u shpall në kërkim dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 1.5 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Në përfundim të veprimeve, nga specialistet për Hetimin e Narkotikeve në DVP Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. I. dhe D. Zh., si dhe sekuestrimi i lëndës narkotike.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Trafikim i narkotikeve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

ME TE LEXUARAT