Mbi 84% e bizneseve të goditura nga kriza: E pakta 10 muaj që të rikthehen në normalitet

Aktualitet
Mbi 84% e bizneseve të goditura nga kriza: E pakta 10 muaj që të

Banka e Shqipërisë ka kryer dy anketa për efektet e Covid-19 në aktivitetin e biznesit, si pjesë e vrojtimeve të besimit në ekonomi, përkatësisht në muajt prill dhe shtator.

Në muajin prill, rreth 90% e bizneseve që kthyen përgjigje ishin shprehur se aktiviteti i tyre u ndikua nga epidemia, ndërsa në muajin shtator, ky raport është ulur në 84%, i ndikuar kryesisht nga sektori i industrisë dhe ndërtimit. E kundërta ka ndodhur me bizneset e shërbimeve, ku numri i bizneseve që shprehen se janë ndikuar është më i madh në muajin shtator.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Lidhur me pyetjen se si janë ndikuar, bizneset vlerësojnë si më të rëndësishmen uljen e kërkesës nga klientët vendas. Rëndësia e këtij faktori është rritur në krahasim me fillimin e pandemisë dhe ka arritur në rreth 42% të përgjigjeve të bizneseve në shtator, në krahasim me 34% në prill.

Në linjë me lehtësimin e masave të marra, mbyllja e detyruar e aktivitetit, e cila ndikonte në masën 23% në prill është ulur në nivelin 13% në shtator. Ulja e kërkesës nga klientët vendas identifikohet si faktori me ndikim më të madh edhe në kategorizimin e bizneseve sipas madhësisë, me një peshë veçanërisht më të madhe për mikrondërmarrjet.

Bizneset kanë zgjedhur si alternativat kryesore për të përballuar situatën shtyrjen në kohë të pagesave, në 30% të rasteve dhe uljen e përkohshme të numrit të të punësuarve, në 27% të rasteve, në masë të ngjashme në të dy vrojtimet.

Ndryshimi kryesor shihet në alternativën mbyllje aktiviteti, e cila ishte konsideruar në muajin prill, me 14% të përgjigjeve totale, por jo në muajin shtator, me vetëm 2% e përgjigjeve të bizneseve. Alternativa e konsideruar më shumë nga bizneset në muajin shtator është rritja e borxhit nga të tjerët, që ka arritur në 12% të bizneseve, nga 4% në prill. Në të dy vrojtimet, bizneset nuk kanë konsideruar si alternativë uljen e përhershme të numrit të punonjësve.

Edhe sipas madhësisë, alternativat kryesore për të përballuar situatën rezultojnë si më lart. Në muajin shtator vihet re një shtim i peshës së alternativës “Rritje e borxhit nga të tjerët” për mikrondërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla. Ndërkohë, alternativa e “Rritjes së huamarrjes nga bankat” rezulton me një peshë më të lartë në muajin shtator për ndërmarrjet e mesme dhe ato të mëdha.

Në përgjithësi, bizneset presin që të kthehen në një situatë normale (e kuptuar si situata përpara Covid-19) afërsisht pas 10 muajsh. Në krahasim me muajin prill, kur kriza pritej të ishte më e përkohshme, kjo periudhë është dyfishuar. Sipas madhësisë, koha e kthimit në situatën normale rezulton më e lartë për bizneset e vogla./E.Shehu/MONITOR

ME TE LEXUARAT