“Këlysh i Rusisë, do kapitullosh”, reagon ministrja kosovare ndaj kërcënimit të Vuçiç për luftë

Kosovë&Rajon
“Këlysh i Rusisë, do kapitullosh”, reagon ministrja

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar ashpër pas deklaratave të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, që u interpretuan si “kërcënim për luftë”.

Me një shënim në Twitter, ministrja kosovare, ndërsa e cilëson Vuçiç “këlysh të Rusisë”, tha se ai po kërcënon të gjithë NATO-n.

“Pasi furnizoi me armë konfliktin Nagorno-Karabak, me armë të prodhuara nga Serbia, Aleksandar Vuçiç, ministri i Informacionit në kohën e Millosheviçit, tani po kërcënon të gjithë NATO-n, si dhe po nxit vendet fqinje për përgatitje ushtarake për luftëra të reja në Ballkan. Politika dhe qasja e “këlyshit Rusisë” është qartazi kundër vlerave të BE-së dhe politikave të sigurisë së Ballkanit. Të gjitha përpjekjet ruse dhe serbe për të minuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit janë të papranueshme për Kosovën dhe, me siguri, do të dështojnë, njësoj sikurse kapitullimi i tyre famëkeq në 1999-n” tha ajo.

Pak më herët, ndërsa foli për dialogun me Kosovën, Vuçiç u shpreh: “Është e rëndësishme t’ju them se konflikti Nagorno-Karabak tregon se konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen në çdo moment”.

ME TE LEXUARAT