Bisedat telefonike të ish-krerëve të UÇK mund të përdoren nga Gjykata e Hagës

Kosovë&Rajon
Bisedat telefonike të ish-krerëve të UÇK mund të

Në objektin e paraburgimit në Hagë po qëndrojnë shtatë ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku 4 prej tyre po akuzohen për krime lufte, vrasje dhe trajtim mizor të njerëzve.

Të paraburgosurit lejohen që t’i telefonojnë familjarët e tyre, por bisedat e tyre mund të incizohen e të dëgjohen nga shefi i objektit të paraburgimit në Hagë. Megjithëkëtë, ata informohen paraprakisht se biseda e tyre do të incizohet.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Të paraburgosurit në objektin e Dhomave të Specializuara mund t’i kryejnë dy lloje të telefonatave, të mbrojtura dhe jo të mbrojtura.

Telefonatat jo të mbrojtura të paraburgosurve mund të mbikëqyren në mënyre pasive, që nënkupton incizimin digjital të bisedave telefonike, pa dëgjimin e njëkohshëm të tyre.

Sipas Udhëzuesit të Punës së Zyrës Administrative në lidhje me të paraburgosurit thuhet se të paraburgosurit informohen për mbikëqyrjen pasive të bisedave të tyre telefonike në linja jo të mbrojtura.

Në nenin 17 të këtij udhëzuesi thuhet se shefi i paraburgimit mund të dëgjojë deri në dhjetë (10) për qind të të gjitha bisedave telefonike që incizohen digjitalisht çdo javë, të cilat përzgjidhen në mënyrë rastësore.

Po ashtu Administratori mund të vendosë që bisedat telefonike me një të paraburgosur të dëgjohen, të përmblidhen dhe të transkriptohen.

Kjo mund të ndodhë nëse administratori vendosë kufizime të domosdoshme dhe proporcionale mbi vizitat dhe komunikimet të një të paraburgosuri specifik.

Më 5 nëntor janë konfirmuar aktakuzat ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët po atë ditë janë dërguar në Hagë. Të dy po akuzohen për krime lufte, vrasje e trajtim çnjerëzor.

Por, bastisje dhe arrestim ka pasur edhe më 4 nëntor ndaj Jakup Krasniqit, i cili pas 8 orësh bastisje në shtëpinë e tij, ai u arrestua dhe u dërgua në objektin e Dhomave të Specializuara.

Ditën e njëjtë pas orës 17:00 është konfirmuar edhe një aktakuzë ndaj Rexhep Selimit.

Ndërsa, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë arrestuar nga Policia e EULEX-it me datën 25 shtator, në Prishtinë. Po atë ditë, ata u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ndaj tyre është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës. /Express

ME TE LEXUARAT