Nuk respektuan masat anti-Covid, gjobiten 612 qytetarë dhe 20 pronarë lokalesh

Aktualitet
Nuk respektuan masat anti-Covid, gjobiten 612 qytetarë dhe 20 pronarë

Policia e Shtetit Shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve të në gjithë vendin, për respektimin e masave anticovid, kanë ndëshkuar me masë administrative, 612 qytetarë dhe 20 administratorë lokalesh, pasi nuk i respektuan këto masa.

Kontrollet intensive kanë vijuar edhe pas orës 22:00, për monitorimin e zbatimit të masave shtesë për kufizimin e lëvizjes.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 612 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 20 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë.

Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 7 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Në zbatim të dy urdhrave të Ministrisë së Shëndetësisë, për shtimin e masave kufizuese, shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet intensive në rrugë dhe në ambiente të ndryshme në të gjithë vendin, prej orës 22:00 deri në orën 06:00.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në këtë fashë orare, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se përgjithësisht qytetarët i kanë zbatuar urdhrat për kufizimin e lëvizjeve, ndërsa disa qytetarë janë këshilluar për shkak se ishin të paqartë për rregullat e lëvizjes.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë masat kufizuese dhe bën thirrje që qytetarët të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00.

Strukturat e Policisë së Shtetit janë në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i masave kufizuese, pasi kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

ME TE LEXUARAT