Në shtetrrethim, Hungaria angazhon ushtrinë në luftën kundër pandemisë

Ushtarët hungarezë do të përfshihen në zbatimin e rregulloreve të reja mbi shtetrrethimin, tha kryeministri hungarez, Viktor Orban.
Ky i fundit përmes një video në Facebook pohoi se u këshillua me Ministrin e Brendshëm, Sandor Pinter dhe Ministrin e Mbrojtjes, Tibor Benko për përfshirjen e ushtrisë për ta ndihmuar policinë në ruajtjen e rendit publik.
“Ushtarët tanë nuk do të mbrojnë atdheun në luftë, por do të ndihmojnë policinë, administratën qendrore dhe personelin shëndetësor në zonat ku ministrat e punëve të brendshme dhe shëndetësisë e konsiderojnë të nevojshme”, tha Orban.
Dje, deputetët zgjatën kompetencat speciale të qeverisë për 90 ditë, duke i mundësuar asaj të pezullojë zbatimin e disa ligjeve me një dekret, të devijojë nga parashikimet ligjore dhe të marrë masa të tjera të jashtëzakonshme.
Shtetrrethimi është në fuqi nga ora 20:00 në mbrëmje deri në 05:00 në mëngjes ndërsa dalja që bëhet jashtë shtëpisë, duhet të justifikohet.