Një në pesë pacientë me Covid-19 diagnostikohet me sëmundje mendore

Soft
Një në pesë pacientë me Covid-19 diagnostikohet me

Rreth një në çdo pesë njerëz të prekur nga Covid-19 diagnostikohen me çrregullime psikiatrike si ankth, depresion ose pagjumësi, brenda tre muajve pas testit pozitiv, thotë një studim i fundit që sugjeron të tregohet kujdes shtesë në zbutjen e pasojave mendore të pandemisë.

Analiza e kryer nga studiues të universitetit të Oxford zbuloi gjithashtu se njerëzit me diagnoza mendore para-ekzistuese, kishin 65% më shumë shanse të diagnostikohen me Covid-19 sesa ata pa to, edhe nëse merreshin parasysh faktorë të tjerë të riskut si mosha, seksi apo sëmundjet bashkëshoqëruese.

“Ky ka qenë një zbulim i papritur dhe ka nevojë për hetim. Por për momentin të pasurit e sëmundjeve psikiatrike duhet të shtohen në listën e faktorëve të riskut për Covid-19,” tha Dr Max Taquet, nje nga autoret.

Llogaritjet u bënë bazuar në rreth 70 milionë kartela mjekësore të pacientëve në SHBA, duke përfshirë dhe 62,000 të prekur nga Covid-19 që nuk kishin nevojë për shtrim në spital. Mundësia e diagnozës së sëmundjeve mendore në periudhën 14 deri 90 ditë pas konfirmimit të Covid-19 ishte diku te 18.1%, nga të cilat 5.8% ishin diagnoza mendore për herë të parë te pacienti.

Për të ekzeminuar nëse risku i shtuar është i lidhur me Covid-19, studiuesit krahasuan të dhënat me gjashtë sëmundje të tjera të së njëjtës periudhë: gripin; infeksione të tjera respiratore; infeksione lëkure; gurë në tëmth; gurë në rrugët urinare dhe frakturën e një kocke.

Në tre muajt pas diagnozës së Covid-19, 5.8% e pacientëve kishin marrë diagnozën e tyre të parë për sëmundje mendore, krahasuar me 2.5% deri 3.4% që ndodhte me pacientët për sëmundjet e tjera sipas studimit.

Paul Harrison, profesor psikiatrie në Universitetin e Oxford, tha se më shumë kërkime nevojiten për studimin e faktorëve që nuk u përfshinë në të dhëna, si prejardhja socio-ekonomike, duhanpirja apo përdorimi i drogave.

Studime të tjera kanë thënë se njerëz me prejardhje më të varfër socio-ekonomike kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sëmudjet mendore dhe koronavirusi prej faktorëve si strehim i mbipopulluar apo vendet e pasigurta të punës.

“Megjithse Covid-19 nuk besohet të ketë efekte direkte te truri i njeriut kjo mbetet për t’u provuar me fakte”, tha Harrison.

ME TE LEXUARAT