Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Presidenti imunitet si deputetët, arrestimi nga SPAK në dorën e Kuvendit, ja si i ndryshojnë pozitat

Presidenti i Shqipërisë do të ‘vishet’ me imunitetin e deputetit, ku pur rrjedhojë një arrestim i mundshëm kalon në duart e Kuvendit.

Kështu parashikon, përpos të tjerave, drafti i përgatitur nga deputetët e mazhorancës për rregullimin e veprimtarisë së Presidentit, kufijtë e kompetencave dhe bashkëveprimin me institucionet e tjera.

Drafti që së shpejti do të shkojë për shqyrtim dhe miratim në Kuvend, përcakton për herë të parë imunitetin e kreut të shtetit, duke e barazuar me një deputet sa i takon mbrojtjes nga arrestimi gjatë ushtrimit të detyrës.

“Presidenti i Republikës gëzon imunitetin e deputetit. Procedurat e imunitetit për Presidentin e Republikës zbatohen nga Kuvendi, sipas të njejtave rregulla dhe garanci që janë në fuqi për deputetin”, parashikon drafti në pikën 3 të nenit 3.

Po si ndryshojnë pozitat e Presidentit nëse Kuvendi do të miratojë draftin? Ndryshimi rregullon raportin e Presidentit me drejtësinë dhe konkretisht me SPAK. Nëse drafti kthehet në ligj, SPAK mund të arrestojë Presidentin pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë.

Në këtë rast, kreu i SPAK duhet të njoftojë menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës, në të kundërt, konfirmon arrestimin. Ndërkaq, në rastin e procedimeve penale të zakonshme, pra kur nuk kemi të bëjmë me kapje në flagrancë, Presidenti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.

Imuniteti i deputetit, i cili sipas draftit do të jetë i njëjtë edhe për Presidentin, parashikohet në nenin 73 të Kushtetutës dhe detajohet në Rregulloren e Kuvendit.

Ndërkaq, imuniteti i Presidentit parashikohet në nenin 90 të Kushtetutës. Ky nen nuk flet për rastet e arrestimit të Presidentit, por vetëm për procrdurên e shkarkimit.

“Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij.

Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë.

Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.

Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”, parashikon neni 90 i Kushtetutës.

Nga ana tjetër, në draftin për Presidencën nuk është përcaktuar nëse vendimi i Kuvendit për autorizimin ose jo të SPAK për arrestimin e Presidentit, shkon për konfirmim në Gjykatën Kushtetuese.

Kushtetuta parashikon se Presidenti nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij.

Edhe për deputetin, Kushtetuta parashikon se nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e tij. Por, kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes, që do të thotë se si deputetët, tashmë edhe Presideti, mbajnë përgjegjësi për shpifjet që artikulojnë.

Ndërkaq, drafti adreson të gjitha përplasjet mes qeverisë dhe Kuvendit nga njëra anë dhe Presidentit Ilir Meta nga ana tjetër, gjatë tre viteve të fundit.

Drafti për Presidencën i vendos afate kohore dhe i heq çdo mundësi bllokade kreut të shtetit për çështjet e dekretimit dhe betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dekretimit të ministrave si dhe nuk i lë asnjë shteg për të mos shpallur datën e zgjedhjeve, anuluar dhe caktuar një datë tjetër zgjedhjesh, siç ndodhi me zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

Drafti qartëson përfundimisht kompetancat e Presidentit dhe rrathanat kur mund të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë luftë, nisur nga kërcënimet e vazhdueshme të kreut të shtetit se do shpërndajë Parlamentin dhe se është komandant i ushtrisë, kur në fakt është vetëm në rast lufte.

Drafti adreson edhe skandalet e Presidentit me dhënien e shtetësisë shqiptare të veçantë dhe në shmangie të ligjit 419 personave, në emër të intetesit kombëtar, kur nga një invrstigim i Shqiptarja.com, rezultoi se Presidenti kishte abuzuar me ligjin, pasi 90 % të emrave, jo vetëm që nuk ishin personalitete, por mes tyre kishte njerëz të dënuar për vrasje dhe korrupsion. Nisma ‘disiplinon’ edhe procesin e dhënis së dekoratave pa kriter si dhe qartëson të gjitha kompetencat e kreut të shtetit të parashikuara në Kushtetutë dhe ligje.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet