Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Europa forcon masat pas rritjes së rasteve, nisin testimet masive

Rastet e reja ditore të koronavirusit arritën nivele të larta të martën në Rusi, Gjermani dhe Britaninë e Madhe ndaj këto vende njoftuan rritjen e testimeve për të frenuar përhapjen e mëtejshme të pandemisë.

Masat e reja shtrënguese hynë në fuqi një ditë më parë Austri, Greqi dhe Suedi, pas një mbyllje të pjesshme të vendosur në Gjermani të hënën dhe rregullave më të rrepta në Itali, Francë dhe Kroaci. Britania e Madhe përballet me një karantinë gati totale nga e enjtja e kaluar, megjithëse shkollat dhe universitetet do të qëndrojnë të hapura.

Infeksionet u rritën në Rusi, ku autoritetet raportuan mbi 18 mijë raste të reja. Ishte dita e pestë radhazi që tejkalohej kjo shifër. Rusia mban vendin e katërt në botë për numrin e të infektuarve.

Franca pavarësisht karantinës që ka nisur të zbatojë, vijon të mbetet vendi europian më i prekur momentalisht nga Covid. Autoritetet raportuan në 24 orët e fundit 36 mijë infektime dhe 854 jetë të humbura.

Suedia, ku qeveria anashkaloi karantinën, vendosi kufizime të reja në mbarë vendin për restorantet dhe kafenetë, duke i urdhëruar ata të shërbejnë vetëm klientëve të ulur dhe me një maksimum prej 8 personash në tryezë.

Bllokimi i pjesshëm duket se po jep rezultate në Holandë ku autoritete folën për një rënie të lehtë të infektimeve të reja në krahasim me javën e kaluar.

Në Itali, Kryeministri Giuseppe Conte firmosi mbrëmjen e së martës një dekret duke vendosur më shumë masa në vend. Dekreti ndalon njerëzit të hynin ose të dilnin nga rajonet më të goditura të vendit duke mbyllur të gjitha dyqanet jo thelbësore në ato vende. Gjithsesi aty shifrat mbeten të larta, teksa në 24 orët e fundit u raportuan për 28 mijë raste të reja dhe 353 viktima.

Gjermania tha se është duke blerë me shumicë miliona teste antigjeni, të cilat japin rezultate të shpejta. Në 24 orët e fundit në nivel global u raportuan mbi 450 mijë infektime dhe mbi 7 mijë viktima.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet