Orar të kufizuar për qendrat tregtare, Kosova me masa të reja kundër koronavirusit

Kosovë&Rajon
Orar të kufizuar për qendrat tregtare, Kosova me masa të reja

Kosova do të vendosë masa të reja për të frenuar përhapjen e mëtejme të koronavirusit të ri.

Kështu tha ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, i cili tha se vendimi për masat e reja, vjen pas rritjes së numrit të rasteve me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ndër masat e reja janë ndalimi i punës së qendrave tregtare nga ora 21:00 deri në ora 05:00. Në të njëjtin interval kohor, të ndaluar aktivitetin e kanë edhe bizneset e sektorit të gastronomisë, përveç shërbimit “merre me vete”.

Po ashtu, Zemaj tha se është rekomanduar që të reduktohet stafi në institucionet publike dhe private si në nivelin qendror, po ashtu edhe atë lokal.

Vetëm sektori i shëndetësisë dhe sigurisë do të punojë me kapacitete të plota.

Personat me sëmundje kronike dhe ata mbi moshën 60-vjeçare do të lirohen që të dalin në zyre dhe mund të punojnë nga shtëpia.

Ndërkaq, personat mbi moshën 65-vjeçare, mund të dalin nga ora 06:00 deri në 10:00 si dhe nga ora 16:00 deri në orën 19:00. Jashtë këtij orari, tha Zemaj, ata mund të dalin vetëm për nevoja shëndetësore.

“Qytetarët nuk e meritojnë mbylljen që dëmton të gjitha fushat e jetës”, tha Zemaj në një konferencë për media, duke shtuar se këto masa do të shqyrtohen pas dy jave varësisht nga situata epidemiologjike.

Kosova do të shtojë kontrollet në kalimet kufitare, ndërkaq, sipas Zemajt, qytetarët e infektuar me koronavirus, duhet të mbikëqyren nga autoritetet në një periudhë prej dyjavësh.

Zemaj njoftoi se vendimi për masat e reja do ta nënshkruajë të shtunën dhe vendimi do të hyjë menjëherë në fuqi.

Së fundmi, Kosova ka regjistruar rritje të rasteve të reja me koronavirus.

Vetëm të premten, më 30 tetor, janë regjistruar 418 raste të reja – shifër rekorde që prej fillimit të pandemisë.

Që prej 13 marsit – kur u regjistruan rastet e para me koronavirus në Kosovë – Kosova ka regjistruar 19,328 raste me koronavirus.

Prej tyre, 678 kanë vdekur ndërsa 15,434 janë shëruar. Raste aktive vazhdojnë të jenë 3,126.

ME TE LEXUARAT