Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Akuzat e Bashës për keqmenaxhim të pandemisë, Komiteti Teknik i Ekspertëve: Tërhiq akuzat!

Komiteti Teknik i Ekspertëve të shëndetësisë i është përgjigjur akuzave të vazhdueshme të Partisë Demokratike mbi keqmenaxhimin e situatës së krijuar nga koronavirusi si dhe se po mbulon dështimet e Ramës.

Të indinjuar nga këto akuza, anëtarët e këtij komiteti deklarojnë se nuk janë fasadë e askujt, ashtu sikurse deklaron kryedemokrati Lulzim Basha. Ata nuk pranojnë asnjë prej akuzave drejtuar tyre, qoftë nga demokratët apo dhe nga politikanë të tjerë teksa shprehen se strategjia që kanë ndjekur deri më tani ka rezultuar e suksesshme.

“Ne nuk pranojmë akuzat për dështim në punën tonë, të bëra nga një kryetar partie, formimi profesional i të cilit nuk ka se si t’ia lejojë të bëjë gjykime në lidhje me punën e këtij komiteti” – shkruan për më tepër komiteti teknik.

Që prej fillimit të pandemisë, dhe kryesisht gjatë ditëve të fundit, kryedemokrati Basha ka shprehur vetëm kritika për sistemin shëndetësor teksa ditën e djeshme deklaroi se komiteti teknik mbulon dështimet e kryeministrit Rama.

Ndërkohë këtë të shtunë, ish-deputetit demokrat Luan Baçi deklaroi se Fieri vuan nga një mungesë e testimeve për COVID-19. I menjëherëshëm ka qenë dhe reagimi i autoritetit shëndetësor, të cilët thonë se deklarata e tij është e pavërtetë.

Në reagimin e tyre, ata shprehen se testimet janë katërfishuar që nga fillimi i pandemisë dhe u bën thirrje atyre që të mos bëjnë politikë me sëmundjen e COVID-19.

Reagimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve

Me keqardhje dhe indinjatë të thellë, dëgjuam akuzat e bëra ndaj nesh nga ana e Kryetarit të Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha. U bë kohë që përveç përballimit të një situate shumë të vështirë, siç është ajo e pandemisë së Covid-19, jemi gjendur të sulmuar dhe të fyer në punën tonë, duke filluar nga kryetari i PD dhe disa pak politikanë të tjerë.

Ne, anëtarët e Komitetit Teknik të ekspertëve, jemi profesionistë të fushës sonë dhe sot, jemi pjesë e këtij Komiteti, të ngritur në zbatim të Ligjit mbi Epidemitë, për t’i shërbyer qytetarëve shqiptarë në këtë kohë tejet sfiduese. Ne nuk jemi “fasadë” e askujt, siç deklaron Z. Lulzim Basha. Ne nuk pranojmë akuzat për dështim në punën tonë, të bëra nga një kryetar partie, formimi profesional i të cilit nuk ka se si t’ia lejojë të bëjë gjykime në lidhje me punën e këtij komiteti.

Në çdo ditë të punës sonë, ne udhëhiqemi vetëm nga parimet e profesionalizmit dhe çdo vendim që kemi marrë, e kemi marrë duke u bazuar vetëm në këto parime. Ne mendojmë se strategjia që kemi ndjekur deri më sot, ia ka dalë të minimizojë numrin e infeksioneve dhe fataliteteve të shkaktuara nga koronavirusi, gjë që e tregojnë fare qartë edhe shifrat krahasuese me vendet e rajonit, dhe ato të Evropës.

Siç është shprehur edhe kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përdorimi politik i pandemisë i shërben vetëm përkeqësimit të situatës dhe është i dëmshëm për mbrojtjen e shëndetit publik.

I bëjmë thirrje Z. Basha që të tërheqë akuzat e bëra në adresë të anëtarëve të Komitetit Teknik të Ekspertëve, të heqë dorë nga përpjekja për baltosjen e punës së autoriteteve shëndetësore, që në këto kohë të pandemisë po bëjnë një sakrificë të jashtëzakonshme.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet