Tërhiqet Sandër Lleshaj, u kërkon ndjesë publike policëve pas debatit me Murrizin

Politikë
Tërhiqet Sandër Lleshaj, u kërkon ndjesë publike

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar me një ndjesë pas debatit të djeshëm në parlament me deputetin Myslym Murrizi.

Në një postim në “Facebook”, ministri Lleshaj shprehet se në respekt të të gjithë atyre që mund të kenë keqkuptuar thelbin e reagimit të tij, kërkon sinqerisht ndjesë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ai më pas bën disa sqarime për përdorimin e shprehjes ‘polic ke qenë dhe polic ke mbetur’ ndaj Murrizit.

MESAZHI I PLOTË I MINISTRIT LLESHAJ

Nga një person shumë i nderuar kam marrë sot një shqetësim, për reagimin tim të djeshëm ndaj deputetit Myslim Murrizi në Kuvend.

Duke marrë shkas nga kjo dhe në respekt të të gjithë atyre që mund të kenë keqkuptuar thelbin e reagimit tim, kërkoj fillimisht dhe sinqerisht ndjesë.

Në të njëjtën kohë, mendoj se janë të nevojshme disa sqarime për këtë:

1. As dje dhe asnjëherë unë nuk i përdor në kuptim pezhorativ fjalët polic, ushtar apo kapter, për arsyen e thjeshtë se e di mirë se ata që personifikohen si të tillë janë ndër njerëzit më dinjitozë të këtij vendi, profesionistë, patriotë, trima dhe plot dinjitet.

Ata i japin këtij vendi shumë shërbim, sakrificë dhe nder.

2. Në daljen e parë publike si Ministër i Brendshëm, jam shprehur se qytetarët duhet të më shohin mua si ministër, tek çdo punonjës i Policisë së Shtetit, duke u IDENTIFIKUAR kështu personalisht me secilin prej tyre.

Ky identifikim me ndërgjegje të plotë me policët e Shqipërisë është më shumë se sa respekt për shërbimin e tyre. Dhe ata e dinë shumë mirë këtë gjë.

3. Replika ime e djeshme u bë në përgjigje të sulmeve të ulëta të deputetit Murrizi kundër Policisë së Shtetit, kundër etiketimeve të tij ndaj saj dhe në përpjekje për të sqaruar se, as deputetët nuk qëndrojnë mbi ligjin dhe se Policia nuk e ka tagrin për të zbatuar ndonjë ligj tjetër ndaj deputetëve, të ndryshëm nga ai që zbatohet për qytetarët e tjerë.

4. I ndodhur përballë një ndërprerje të padenjë të fjalës time dhe agresionit verbal nga deputeti Murrizi, i kam kujtuar atij se ka qenë polic në Policinë famëkeqe Financiare të viteve 90-të, pikërisht për t’i thënë se ai nuk e ka të drejtën morale të përbaltë Policinë e Shtetit, e cila gëzon sot vlerësimin më të lartë të qytetarëve dhe të partnerëve.

5. As nuk më ka shkuar ndonjëherë në mendje që t’i drejtohem deputetit Murrizi si polic, në kuptimin e punonjësit të sotëm të Policisë së Shtetit, për arsye se me qëndrimet e tij të padenja ndaj Policisë, me fjalorin e tij që përbëhet vetëm nga disa fjalë vulgare të huazuara kryesisht nga zoologjia dhe me biografinë e tij të shkurtër prej disa rreshtash është i skualifikuar në mënyrë absolute nga mundësia që të cilësohet si polic.

Vetëm sa i kam përmendur faktin se ka qenë polic në Policinë e dikurshme Financiare. Edhe një herë, ndjesë kujtdo që mund të ketë keqkuptuar reagimin tim të djeshëm!

ME TE LEXUARAT