Turqia kërkon naftë pranë kufirit, reagon ashpër Greqia

Bota
Turqia kërkon naftë pranë kufirit, reagon ashpër Greqia

Turqia tha se do të zgjate veprimtarinë kërkimore për naftë të anijes së saj Oruc Reis në një zonë të diskutueshme të Mesdheut lindor deri në 4 nëntor.

Njoftimi nxiti reagimin e Greqisë, e cila të dielën bëri të ditur se do të paraqesë një ankesë rreth asaj që e quajti "veprim i paligjshëm".

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Turqia dhe Greqia, dy vende anëtare të NATO-s, janë përfshirë në mosmarrëveshje mbi shtrirjen e shelfit të tyre kontinental dhe mbi burimet e hidrokarbureve në Mesdheun lindor. Përplasjet shpërthyen në muajin gusht kur Turqia dërgoi anijen Oruc Reis në ujërat e pretenduara gjithashtu edhe nga Greqia e Qipro, të dy këto të fundit vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Sipas një njoftimi të autoriteteve turke lëshuar të shtunën në mbrëmje Oruc Reis do të vazhdojë studimin sizmik në një zonë në jug të ishullit grek të Rodosit deri më 4 nëntor, së bashku me dy anije të tjera, Ataman dhe Cengiz Han.

Sipas një njoftimi të mëparshëm ishte planifikuar që veprimtaria e anijes të zgjaste deri më 27 tetor. Ministria e Jashtme greke tha se do të paraqesë një ankesë tek pala turke, duke shtuar se veprimtaria e anijes do të zhvillohet në një zonë që i takon shelfit kontinental grek.

Në deklaratën e ministrisë thuhej gjithashtu se zgjatja e veprimtarisë së Oruc Reis ishte një "veprim i paligjshëm" në kundërshtim me përpjekjet për të lehtësuar tensionet dhe me konkluzionet e fundit të këshillit të kryetarëve të qeverive të vendeve të BE-së.

"Greqia dënon haptazi këtë sjellje të papranueshme, e cila në thelb po vazhdon t’i largohet mundësive për një dialog konstruktiv", thuhej në deklaratën e ministrisë greke, ku i bëhej gjithashtu thirrje Turqisë që ta anulonte menjëherë vendimin. Në deklaratë thuhej se Turqia po kërkon të destabilizojë rajonin e të ushqejë tensione, duke sfiduar ligjin ndërkombëtar.

Ankaraja e tërhoqi Oruc Reis muajin e kaluar me qëllimin për të lejuar diplomacinë të veprojë përpara një takimi të nivelit të lartë të vendeve të BE-së, gjatë të cilit Qipro kërkoi sanksione kundër Turqisë. Por anija e nisi veprimtarinë përsëri këtë muaj, duke shkaktuar një reagim të ashpër të Greqisë, Francës e Gjermanisë.

Pas takimit të nivelit të lartë, BE-ja bëri të ditur se do ta ndëshkojë Turqinë nëse do të vazhdonte me operacionet e saj në rajon, një mesazh që Ankaraja tha se tensionoi edhe më tej marrëdhëniet Turqi-BE. Turqia thotë se operacionet e saj janë brenda shelfit kontinental të saj.

ME TE LEXUARAT