Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Rindërtimi i shkollës, banorët denoncojnë në SPAK, Bashkinë Durrës

Shkolla 9-vjeçare “Bedie Bebeziqi”, në lagjen nr.4 në qytetin e Durrësit, u shemb më 11 maj 2020 me qëllim rindërtimin e saj pas dëmtimeve nga tërtmeti i 26 nëntorit 2019.

Shkolla ndërtohet me fondet e “Rindërtimit”, administruar si zhvllues të projektit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Por banorët e pallatit “Glemar”, i cili ndodhet ngjitur me shkollën “Bedrie Bebeziqi”, shprehen se janë të shqetësuar, sepse shkolla e re që po ndërtohet 5 kate cënon të drejtën për të patur dritë, ajër, hapësirë si edhe pamjen mëparëshme dhe sipërfaqa e shfrytësimit është dhënë me 60 % ndërkohë në kundërshtim me VKM nr. 319, e cila sqaron se koefiçenti i shfrytëzimit nuk duhet të jetë më shumë se 30 % .

Kapaciteti i ri i shkollës, i cili përfshin edhe kopështin “Met Hasa”, sipas banorëve prish standardet e jetesës së banorëve përreth shkollës së re, duke krijuar një ndotje akustike.

Por ajo që është më e rëndë për banorët është se shkolla nuk respekton distancën midis objekteve, distancë kjo që është vetëm 1 metër larg pallatit të tyre.

Në këto kushte banorët kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë Durrës ndaj Bashkisë Durrës nën argumentin e shpërdorimit të detyrës në dhënien e lejes së ndërtimit për shkollën 9-vjeçare “Bedie Bebeziqi”.

Gjithashtu kanë depozituar një kallëzim penal në SPAK ndaj Bashkisë Durrës, FSHZH dhe firmës që po ndërton shkollën dhe një kallëzim në KLSH.

Fiksi pasi mori ankesën e banorëve bisedoi me inxhinierin mbikqyrës të punimeve në shkollën “Bedrie Bebeziqi”, i cili tha se shkolla e re po rindërtohet në të njëjtën gjurmë me shkollën e vjetër.

Pretendimi rrëzohet nga FSHZH, që me një shkresë zyrtare konfirmon se gjurma e objektit të ri është më e madhe se gjurma e objektit të vjetër, duke ruajtur të gjitha kondicionet urbane.

Më pas ai shton se leja është dhënë në datë 21 / 09/2020 ndërkohë që punimet për rindërtimin e shkollës kanë filluar që në muajin korrik.
Pra ende pa u dhënë leja e ndërtimit firma filloi punimet vetëm duke qenë të pajisur me Leje të Posaçme Zhvillimi.

Fiksi iu drejtua edhe Bashkisë Durrës për të marrë një përgjigje dhe ata jashtë kameras pohojnë se leja e ndërtimit është dhënë konform legjislacionit në fuqi, kurse për kallzimin penal që u është bërë nga banorët nuk dëshironin ta komentonin.

Ndërkohë me një shkresë zyrtare Fiks fare iu drejtua edhe FSHZH ku në përgjigjen citohet se në rastin në fjalë është marrë për bazë PDyV (Plan i detyruar vendor). Ndërkohë, Bashkia Durrës shprehet se kjo leje është dhënë sipas PPV (Plan i përgjithshëm vendor) dhe të KKT.

Bashkia Durrës nuk flet fare për një PDyV. Dhe këtu lind problemi pasi në lejen e ndërtimit koefiçenti për shfrytëzimin e truallit për ndërtim është dhënë në masën 60 për qind, në kundërshtim me VKM nr. 319 datë 12.04.2017, “Standaredet e ndërtimit të shkollave” e cila shprehimisht sqaron se koefiçenti i shfrytëzimit nuk duhet të jetë më shumë se 30 për qind.

Në lejen e ndërtimit nr, 1000, datë 21/09/2020, shkolla “Bedrie Bebeziqi” do jetë me 5 kate duke thyer në këtë mënyrë VKM nr. 319 datë 12.04.2017, “Standaredet e ndërtimit të shkollave” e cila rekomandon se objektet shkollore nuk duhet jenë më të larta se 3 kate.

Shkolla në rindërtim, nuk respekton distancën në raport me pallatin “Glemar” në lagjen nr.4 në rruga “Egnatia”, e cila në matjet paraprake shkon në rreth 1 metër distancë duke thyer rregulloren e urbanistikës e cila rekomandon se objektet shkollore deri në 5 kate duhet të jenë në një largësi prej 10 metrash.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet