Policia nis ‘pastrimin’ në rrugët e Tiranës: Për 12 orë ndëshkohen 120 automjete të parkuara gabim

Aktualitet
Policia nis ‘pastrimin’ në rrugët e Tiranës: Për

Policia Rrugore e Tiranës ka nisur një plan masash për ‘pastrimin’ e rrugëve të kryeqytetit nga makinat e parkuara gabim. Sipas burimive zyrtare, rrugorët e kryeqytetit, monitorim të dedikuar përgjatë 12 orëve, ndëshkojnë 120 automjete të pushuara në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor, në rrugën “Myslym Shyri”, e cila shërben si një arterie kryesore për lidhjen e unazës së mesme me unazën e vogël dhe qendrën e kryeqytetit.

Policia thotë se duke qenë se rruga “Myslym Shyri” njihet si një nga rrugët më të rëndësishme për njësitë tregtare në kryeqytet, mbetet shqetësim i përditshëm parkimi i mjeteve në korsinë e lëvizjes, duke krijuar pengesa serioze në qarkullimin e mjeteve dhe duke u bërë rrezik për aksidente rrugore, për shkak të manovrave që përdoruesit e rrugës kryejnë nga njëra korsi në tjetrën.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Duke konsideruar vështirësitë e lëvizjes, për shkak edhe të kantiereve të ndërtimit në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, shqetësimet dhe problematikat që adresohen herë pas here nga qytetarët, në lidhje me parkimet e gabuara, kryesisht ato në rresht të dytë, Policia Rrugore e Tiranës ka nisur zbatimin e një plani veprimi, mbi monitorimin dhe kontrollin e akseve rrugore të evidentuara si me problematiket në raport me mënyrën e qëndrimit dhe pushimit të mjeteve në rrugë, me qëllim disiplinimin dhe ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve mbi rrezikun dhe problematikën që ata shkaktojnë, me sjelljen e tyre në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, deklaron policia.

Sipas saj, rrugorët e kryeqytetit do vijojnë patrullimet policore në funksion të planit të veprimit, me qëllim që përdoruesit e rrugës të kuptojnë dhe respektojnë detyrimet ligjore, kur përdorin rrugën si zonë për përdorim publik, e destinuar për qarkullimin e këmbësorëve, mjeteve dhe kafshëve, sipas sinjalizimit rrugor të vendosur nga enti pronar i rrugës.

Policia e Shtetit fton qytetarët dhe përdoruesit e rrugës të ndihmojnë në rritjen e parametrave të sigurisë, duke kontribuar të gjithë për ndërtimin e një ambienti më të sigurt.

ME TE LEXUARAT