Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Kërcënohet me vdekje politikania austriake, dyshohet tek shërbimet sekrete turke

Berivan Aslan u mor në mbrojtje nga policia, që kur një person pranoi, se kishte porosi nga shërbimi sekret turk ta vriste politikanen e gjelbër në Vjenë. Sipas tij rrjetet turke veprojnë nga Ballkani në Austri.

Me telefonatat anonime, politikanja e gjelbër austriake me origjinë kurde, Berivan Aslan është mësuar. Edhe me njoftimet kërcënuese, si dhe foton e saj të varur në litar që e mbanin si pllakat në dorë nacionalistët me origjinë turke gjatë marshimeve të tyre.

Por këto ditë, deputetja me origjinë kurde e lindur në vitin 1981 në Turqi dhe e sapozgjedhur si deputete e parlamentit lokal të Vjenës gati nuk del nga shtëpia. Para derës së shtëpisë së saj në Vjenë qëndron një police plotësisht e armatosur. Kur del në rrugë Berivan Aslan shoqërohet nga policia.

Më 12 shtator Berivan Aslan u telefonua nga një numër i panjohur. Telefonata vinte nga Zyra Federale Austriake për Mbrojtjen e Kushtetutës dhe Luftimin e Terrorizmit, BVT. Një burrë ishte vetëdorëzuar dhe kishte pranuar, se ai me porosi të Shërbimit Sekret Turk, MIT duhej të vriste Berivan Aslan. Feyyaz Ö. në dëshminë e tij kishte pohuar për protokollin, se me këtë dëshmi donte të shpëtonte „veten”. Ai kishte frikë, se nga atentati do të mund të bëhej vetë objekt vrasjeje, prandaj marshoi në zyrat e Vjenës të BVT-së në Schottenring 7-9. Feyyaz Ö. e dinte pra shumë mirë, se ku duhej të drejtohej.

Një rast misterioz vdekjeje

Feyyaz Ö. është 53 vjeç me origjinë turke dhe me shtetësi italiane. Ai ka jetuar për një kohë në Maqedoninë e Veriut dhe ka qenë i përfshirë në një rast të pazbardhur vrasjeje në Maqedoninë e Veriut. Aty bëhej fjalë për vrasjen e një burri, ku të afërmit e venë shumë në dyshim versionin e autoriteteve për vendin e vrasjes dhe kujtojnë rrethanën, se kufoma u gjend e droguar në banesën e Feyyaz Ö. Por zyrtarisht viktima vdiq diku tjetër.

Në marrjen në pyetje, Feyyaz Ö. pranoi se është trajnuar nga MIT dhe se ka kohë që është në pension si agjent. Por më shumë duket se ky person lëviz në zonën gri mes kriminalitetit dhe shërbimit sekret, ai nuk është më aktiv dhe përveç kësaj i shantazhueshëm. Të marra së bashku – një vrasës i mundshëm perfekt.

Autoritetet heshtin

Ndikimi politike i një afere të tillë mund të kuptohet në reagimin e autoriteteve. Në këtë rast heshtja oshëtin. Nga ana e prokurorisë thuhet vetëm se „nuk jepen të dhëna për procesin”. Edhe BVT hesht. Ministria e Punëve të Brendshme austriake pak ditë pas bërjes publike të rastit foli për „një burrë që le përshtypjen e të çoroditurit”, dhe që është dorëzuar. Nuk ka një „skenar të ngutshëm kërcënimi”. Feyyaz Ö. fillimisht ishte i lirë dhe kishte qëndruar në një hotel në Vjenë, vetëm më vonë u lëshua urdhërarresti për të. Tani autoritetet nuk e komentojnë më rastin.

Berivan Aslani u mor në mbrojtje 24 orë qysh nga fillimi, megjithë fushatën zgjedhore në vazhdim, ku politikanja kërkonte një vend në parlamentin lokal. Një nga temat kryesore të saj është integrimi, por edhe prania e qarqeve të partisë AKP të Erdoganit në Europë si edhe e rrjeteve ekstremiste të djathta turke “Ujqit gri” jashtë Turqisë.

Një rrjet i koordinuar

Në Austri janë aktivë vetëm peshq të vegjël, sipas Ö, por që mund të llogarisin me një mbështetje solide. Kurse Berivan Aslan bën fjalë për një „rrjet të koordinuar shumë mirë të xhamive dhe shoqatave”, që nga pikëpamja ideologjike mbulon të gjithë spektrin e djathtë politik në Turqi, që nga ultranacionalistët pak a shumë shekullar deri tek islamistët militantë. Një gjë e tillë u vu re edhe tek trazirat e qershorit në Vjenë: shumë sulmes treguan përshëndetjen e „ujqve gri”, të tjerë thërrisnin parrulla të milicisë terroriste, „Shteti Islamik”, IS.

Berivan Aslan thotë, shumë xhami dhe shoqata kulturore sot „përdoren si degë të partisë AKP”. Në fund njëri zhvillim sjell tjetrin: populizmin e djathtë dhe veçimin në qarqe ekstremiste.

Kërcënimi është realist

“Ata bëjnë për vete njerëzit që qëndrojnë në periferi të shoqërisë”, është e mendimit Berivan Aslan. Kur futen në rrethe të tilla, atyre u jepet ndjesia se, „ti do të jesh në Austri gjithmonë qytetar i klasit të dytë, por pas teje qëndron Turqia e fortë.” Kjo është njëra anë. Tjetra: spiunime, indoktrinime, kërcënime, denigrim, dhunë fizike. Prandaj është e kuptueshme edhe marrja në mbrojtje nga policia e Berivan Aslan. Kërcënimi nga persona të MIT duket se është aq real, sa ç’është i tillë edhe radikalizimi i personave të veçantë./ DW

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet