Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Zgjedhjet në SHBA/ Trump akuza kundërshtarit, Biden premton më shumë mbështetje për Shqipërinë e Kosovën

Bëhet akoma më e ethshme gara presidenciale në SHBA. Dy kandidatë, presidenti aktual Donald Trump dhe kandidati demokrat Joe Biden kanë vijuar fushatën duke shpalosur idetë dhe planet e tyre. Trump ishte në Muskegon ku sulmoi kundërshtarin e tij.

“Nëse unë rizgjidhem, do të kthehemi në jetën normale. Biden përkundrazi, dëshiron të mbyllë vendin tonë dhe të zgjasë pandeminë. Me të kjo do të çonte në depresionin më të madh ekonomik në histori”. Fjalët e Presidentit amerikan vijnë në ditët kur numri i njerëzve të infektuar nga Covid u kthye në nivelet e mesit të korrikut, me mbi 69 000 raste të premten.

Por, nga ana tjetër, Presidenti Trump po përballet edhe me protestën e grave të cilat po marshojnë duke u kërkuar qytetarëve amerikanë të mos votojnë Trump, por edhe kundër emërimit të konservatores katolike Amy Barrett në Shtëpinë e Bardhë. Nga New York në Washington, nga Los Angeles në San Francisco, dhjetëra mijëra njerëz demonstruan kundër Presidentit. “Presidenca e Trump filloi me një marshim të grave dhe tani është e destinuar të përfundojë me një votë të grave”, tha një nga organizatorët e Marshimit të Grave gjatë demonstratës në kryeqytet.

Planet e Biden

Ndërsa kandidati Joe Biden u ndal te Ballkani, duke përmendur Shqipërinë dhe Kosovën.

Demokrati mbështet rrugën e Shqipërisë në BE dhe kërkon që marrëveshja Prishtinë-Beograd të përfundojë me njohjen reciproke. Shqipëria dhe Kosova do të jenë në fokusin politik të administratës amerikane, nëse demokrati Joe Biden fiton presidencën e SHBA-së në zgjedhjet e 3 nëntorit. Vizionin për dy popujt shqiptarë, pretendenti për Shtëpinë e Bardhë e shpalosi nëpërmjet një deklarate të përbashkët me zëvendësen e tij, Kamala Harris. Joe Biden tha se ai dëshiron ta forcojë partneritetin SHBA-Shqipëri në vazhdën e aleancës brenda NATO-s, të zhvillojë raportet ekonomike-tregtare dhe të ndihmojë demokratizimin e vendit.

“Biden e mbështet Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Kjo do të thotë se do e ndihmojë me reformat e vështira që i duhen për të ecur përpara – përfshirë shtetin e së drejtës, antikorrupsionin, reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Gjithashtu do të sigurohet që dyert e BE-së të mbeten hapur kur vendet si Shqipëria të jenë gati”, tha ai. Për të stabilizuar rajonin, Joe Biden, synon të adresojë problematikën Kosovë-Serbi. Ai e ka kritikuar gjenocidin serb në Kosovë në vitet ’90 dhe ka mbështetur përpjekjet e Prishtinës për pavarësi, por qasjen e presidentit Donald Trump për t’i afruar palët, e sheh të pabalancuar. “Biden do rivendosë raportet e paanshmërisë dhe barazisë kundrejt Kosovës dhe Serbisë.

Bashkë me Bashkimin Europian, do synojë arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe garanton njohjen e plotë; do këmbëngulë që të veprohet me drejtësi për krimet e luftës, për personat e zhdukur dhe do inkurajojë BE-në të përmbushë premtimin e vet për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë”, tha ai. Administrata e ardhshme demokrate thekson se do punojë edhe për të zbehur influencën ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Më pak se tri javë nga zgjedhjet e nëntorit në SHBA, 77-vjeçari vazhdon të udhëheqë sondazhet përkrah rivalit republikan, Donald Trump, që synon mandatin e dytë presidencial.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet