Plasin protestat masive në Francë, pas vrasjes së mësuesit

Bota
Plasin protestat masive në Francë, pas vrasjes së mësuesit

Franca u përfshi nga tubime në mbarë vendin me thirrjet pro lirisë së shprehjes dhe laicizmit, ndërkohë që qeveria diskutonte të dielën forcimin e masave kundër ekstremizmit islamik pas sulmit makabër që la të vrarë një mësues të premten.

Duke respektuar udhëzimet për maska, mijëra vetë u mblodhën në sheshin “Place de la Republique” në Paris, të revoltuar nga ekzekutimi me prerje koke i mësuesit të historisë Samuel Paty. Disa mbanin flamuj francezë, ndërkohë që ata që e morën fjalën kujtuan viktimën e fundit të terrorizmit në Francë.

Tronditja dhe revoltimi që përfshiu vendin i ngjante në shumë mënyra dhimbjes që përfshiu Francën gjashtë vjet më parë kur miliona protestues me lapsa në duar dolën për të mbrojtur lirinë e shprehjes, pas sulmeve terroriste në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo.

“Liria e shprehjes është një ndër vlerat thelbësore të identitetit tonë,” tha Kryeministri Jean Castex për gazetën e përjavshme Le Journal du Dimanche.

Duke iu referuar slloganit “Unë jam Charlie” që u dëgjua fillimisht pas sulmeve të janarit 2015 tek revista Charlie Hebdo, zoti Castex tha “Jam më tepër se kurrë Charlie”.

Por, megjithë thirrjet për unitet kombëtar pas sulmit të dytë terrorist brenda një muaji, francezët kanë mendime të ndryshme kur flitet për përgjigjen ndaj radikalizmit islamik.

Një pjesë e këtij dallimi në mendime ushqehet edhe nga reagimi i autoriteteve ndaj koronavirusit.

“Ose ne, ose ata,” ishte titulluar një artikull redaksional i revistës Le Point lidhur me vrasjen, ndërsa Le Telegramme shkruante se sulmi i së premtes “na kujton se sa i kërcënuar është modeli ynë i sistemit arsimor si dhe ndarja e fesë nga shteti”.

ME TE LEXUARAT