Macron pas sulmit terrorist në Paris: Ata nuk do të fitojnë

Bota
Macron pas sulmit terrorist në Paris: Ata nuk do të fitojnë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e ka quajtur “sulm terrorist islamik” vrasjen e një mësuesi në periferi të Parisit.

Viktima – të cilit iu pre koka – thuhet se ka shfaqur karikatura të Profetit Muhamed para nxënësve të tij.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sulmuesi është qëlluar për vdekje nga autoritetet e rendit.

Macron tha se mësuesi – i cili ende nuk është identifikuar – është vrarë sepse ka mësuar “lirinë e shprehjes”.

“Ata nuk do të fitojnë... Ne do të veprojmë”, tha Macron teksa vizitoi vendin ku ndodhi vrasja.

Duke qëndruar para shkollës së mesme, ku viktima u sulmua, Macron tha se “një qytetar u vra sot sepse ishte mësues dhe sepse ai mësonte lirinë e shprehjes”.

Sulmi ndodhi rreth orës 17:00 sipas kohës lokale gjatë të premtes.

Kjo ngjarje po hetohet nga prokurorët për terrorizëm. Sipas gazetës Le Monde, viktima ishte mësues i historisë dhe gjeografisë. Ai, sipas kësaj gazete, kishte shfaqur karikatura të Profetit Muhamed para nxënësve, si pjesë e lirisë së shprehjes. Por, kjo gazetë ka raportuar se mësuesi u ka kërkuar nxënësve myslimanë të largohen nga klasa, nëse ata ndihen të ofenduar me shfaqjen e pamjeve të Profetit.

Sulmuesi me thikë është qëlluar për vdekje nga policët, të cilët po tentonin që ta arrestonin. Policia franceze ende nuk ka dhënë asnjë detaj për sulmuesin, ndonëse mediat kanë raportuar se bëhet fjalë për një 18-vjeçar me origjinë çeçene, që kishte lindur në Moskë, raporton BBC.

Ngjarja ndodhi në qytetin Conflans-Sainte-Honorine. Burimet nga policia thanë se dëshmitarët e kanë dëgjuar sulmuesin të thotë “Allahu Akbar”, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.

Sipas mediave franceze, deri më tani nëntë persona janë arrestuar, përfshirë dhe një të mitur. Mediat franceze, duke u thirrur në burime brenda sistemit gjyqësor, thanë se në mesin e të arrestuarve janë edhe familjarë të sulmuesit dhe prindërit e një fëmije ku jepte mësim mësuesi i vrarë.

ME TE LEXUARAT