Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Luftë me Greqinë, BE-ja dënon “provokimet” e Turqisë

Bashkimi Evropian ka dënuar “veprimet e njëanshme dhe provokimet” e Turqisë në lindje të Mesdheut, pasi Ankaraja është përfshirë në një konflikt për burime të energjisë me vendet anëtare të BE-së, Greqinë dhe Qipron.

Liderët e BE-së kanë diskutuar mosmarrëveshjet në një samit në Bruksel, pasi Turqia ka dërguar sërish një anije kërkimore në ujërat e kontestuar, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për t’u tërhequr.

Liderët e 27 vendeve të bllokut evropian, që kanë qenë pjesë e samitit, kanë thënë përmes një deklarate të përbashkët se blloku “dënon veprimet e njëanshme dhe provokative të Turqisë në lindje të Mesdheut, duke përfshirë aktivitetet e fundit kërkimore”.

Ata i kanë bërë thirrje Turqisë që të heqë dorë nga aktivitetet e fundit dhe kanë theksuar “solidaritetin e plotë” me Greqinë dhe Qipron.

“Ne jemi pajtuar se masat e fundit të njëanshme të Turqisë, të cilat janë natyrisht provokative, janë duke rritur sërish tensionet në vend të lehtësimit të tyre”, ka thënë kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Mendoj se është shumë fatkeqe, por edhe jo e domosdoshme”, ka thënë ajo.

“Neve na duhet të punojmë në aspektet pozitive të agjendës tonë”.

Këto paralajmërime vijnë vetëm dy javë pasi liderët e BE-së kanë diskutuar në një tjetër samit marrëdhëniet e tyre me Ankaranë.

Pas një mospajtimi të ngjashëm në muajin gusht në mes të rivalëve historikë, Turqisë dhe Greqisë, Ankaraja ka rinisur kërkimet në ujërat strategjikë në mes të Qipros dhe ishujve grekë, Kretës dhe Kastellorizos.

Ky veprim ka rikthyer tensionet me Greqinë për çështjet e kufijve detarë dhe të drejtave të shpimit.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, të dyja aleate të NATO-s, të Greqisë dhe Turqisë, e kanë konsideruar misionin e kërkimeve si “provokim”, andaj i kanë bërë thirrje Ankarasë për të kthyer mbrapsht anijen.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar Turqinë se të gjitha mundësitë janë në tavolinë, përfshirë sanksionet.

Mirëpo pavarësisht deklaratës së ashpër të bllokut evropian, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka thënë se nuk do të ketë ndryshim të strategjisë, për të cilën është arritur pajtueshmëri në samitin e kaluar.

Sipas këtij plani, Bashkimi Evropian do të vëzhgojë nga afër veprimet e Turqisë në lindje të Mesdheut, do të analizojë zhvillimet dhe do të vendosë për veprime të mundshme në samitin e 10-11 dhjetorit.

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet