Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Lidhje me kartelët e drogës, ish-Ministri i Mbrojtjes i Meksikës arrestohet në SHBA

Një ish-ministër meksikan i mbrojtjes u arrestua të enjten në mbrëmje pasi mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Anxhelos me familjen e tij, sipas qeverisë meksikane, duke u bërë zyrtari i parë i rangut të lartë ushtarak që u mor në paraburgim në Shtetet e Bashkuara në lidhje me drogën dhe korrupsionin në vendin e tij.

Ish ministri, gjeneral Salvador Sienfuegos Zepeda, i cili ishte ministri i mbrojtjes i Meksikës nga 2012 në 2018, u arrestua nga zyrtarët amerikanë me kërkesë të DEA-s dhe do të përballet me akuza të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave në Shtetet e Bashkuara, sipas një zyrtari federal në Nju Jork.

Lajmi jo vetëm ngre shqetësime mbi luftën e Meksikës kundër krimit të organizuar, por gjithashtu tregon forcën e korrupsionit që prek nivelet më të larta të qeverisë. Gjenerali Sienfuegos ishte ministër i mbrojtjes gjatë gjithë administratës së Presidentit Enrike Penja Nieto, i cili u largua nga detyra dy vjet më parë.

Arrestimi i gjeneralit Sienfuegos vjen 10 muaj pasi ish-udhëhësi i ekuivalentit meksikan të FBI-së, u padit në Nju Jork me akuzat e marrjes së ryshfetit teksa gjatë detyrës kishte mbrojtur kartelin e Sinaloas, një nga mafiet kriminale më të fuqishme të Meksikës.

Oficeri, Xhenaro Garsia Luna, shërbeu si kreu i Agjencisë Federale të Hetimit të Meksikës nga 2001 në 2005 dhe për gjashtë vitet e ardhshme ishte sekretari i sigurimit publik të Meksikës, një pozicion i nivelit të kabinetit. Në atë rol, ai kishte për detyrë të ndihmojë presidentin, Felipe Kalderon, për të krijuar strategjinë e tij për të luftuar kartelet e drogës në vendin e tyre.

Garsia Luna dhe Gjenerali Sienfuegos shërbyen në nivelet më të larta të qeverisë meksikane në një kohë kur vrasjet u rritën në nivele historike, kartelet e drogës zhvilluan luftë dhe nën presidentin Penja Nieto, operacionet ushtarake u zgjeruan.

“Asnjëherë nuk është arrestuar një ministër i mbrojtjes në Meksikë,” tha Horhe Kastanjeda, një ish-ministër i jashtëm meksikan. “Ministri i mbrojtjes në Meksikë jo vetëm drejton ushtrinë dhe është një ushtarak, por ai raporton drejtpërdrejt te presidenti. Askush nuk është mbi të përveç presidentit.”

Akuzat e sakta me të cilat do të përballet Gjenerali Sienfuegos nuk janë bërë të qarta menjëherë dhe zyrtarët e DEA-s nuk iu përgjigjën kërkesave për komente.

Ushtria e Meksikës ka luajtur një rol qendror në sigurinë publike që kur filloi goditja e karteleve të drogës në 2006, duke vendosur ushtarë në rajone të pushtuara nga krimi i organizuar. Sekretari i mbrojtjes mbikëqyr këtë përpjekje.

Dyshimet për korrupsion në ushtrinë meksikane janë shfaqur prej kohësh në biseda private, por ushtria ka një sasi të jashtëzakonshme të autonomisë, rrallë përkulet para presioneve politike dhe zakonisht gëzon mbrojtje nga presidenti, i cili mbështetet në të për mbrojtjen e brendshme të kombit. (burimi:opinion.al)

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet