Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Roli i dronëve turq në konfliktin e Azerbajxhanit me Armeninë

Dronët e Turqisë po luajnë një rol të madh në mbështetjen e ofensivës së Azerbajxhanit në Nagorno-Karabakh. Turqia i ka përdorur dronët më parë në Siri dhe Libi.

Këto pajisje të sofistikuara janë bërë tani pjesë integrale e përpjekjeve të Ankarasë për të treguar fuqinë përtej kufijve të saj.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones nga Stambolli, industria turke e dronëve po përballet me kundërshtime nga komuniteti ndërkombëtar.

Dronët e prodhuar në Turqi dhe që po përdoren nga forcat e Azerbajxhanit janë pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për të rimarrë enklavën e debatueshme të Nagorno-Karabakhut që është nën kontrollin armen.

Analistët thonë se konflikti në fjalë nënvizon aftësitë e Turqisë si një prodhues kryesor i dronëve, duke e vënë atë mes fuqive të tjera të mëdha, dronët e të cilëve përdoren në luftë.

Arda Mevlutoglu është analistë për mbrojtjen ajrore.

“Turqia ka grumbulluar një eksperiencë të madhe për të prodhuar dronë të tillë të avancuar. Pra do të thoja se teknologjia e saj është diku mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.”

Turqia ka konfirmuar përdorimin e dronëve në Siri në mbështetje të rebelëve, si dhe në Irak kundër kryengritësve kurdë.

Gjatë luftës civile në Libi, dronët e prodhuar në Turqi ndihmuan për të kthyer situatën në favor të qeverisë së mbështetur nga Ankaraja.
Dronët tani janë pjesë integrale e asaj që analistët e quajnë diplomacia e fortë e Ankarasë. Sina Ulgen është me Qendrën për Ekonomi dhe Studime të Politikës së Jashtme.

“Dronët luftarakë, sistemet elektronike të luftës e kanë ndihmuar Turqinë që të kryejë një politikë të jashtme dhe të sigurisë më të fuqishme, sepse në thelb Turqia u mbështet tek avatazhi i saj teknologjik.”

Por numri i viktimave civile në Nagorno-Karabakh, të shkaktuara pjesërisht nga dronët turq, po nxit një reagim ndërkombëtar. Kanadaja ka pezulluar shitjen e disa pjesëve kritike, duke ekspozuar dobësitë e Turqisë.

Atilla Yesilada është konsulent politik me firmën “Global Source Partners”.

“Turqia ende nuk mund të prodhojë motorin, dhe nuk ka fabrikë për prodhimin e mikropocesorëve. Pra të gjitha pjesët inteligjente, apo programet, për dronët që përdoren si armë, duhet të importohet nga Perëndimi ose nga Kina.”

Kohët e fundit Turqia prezantoi dronin më të fuqishëm deri më tani. Kjo tregon se dronët do të mbeten një pjesë kyçe e ambicieve në rritje të Turqisë për të projektuar veten si një fuqi rajonale./VOA/

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet