Azerbajxhani dhe Armenia nuk ndalin luftën, rritet numri i viktimave

Bota
Azerbajxhani dhe Armenia nuk ndalin luftën, rritet numri i viktimave

Numri i të vdekurve vazhdon të rritet në përleshjet midis forcave armene dhe azerbajxhanase në rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut, pavarësisht një armëpushimi dhe paralajmërimeve të një krize humanitare.

Zyrtarët armenë në rajonin e debatueshëm të Nagorno-Karabakut raportuan vdekjen e 17 ushtarakëve, duke rritur numrin e tyre të përgjithshëm në rreth 540 që nga fillimi i luftimeve më 27 shtator.

Autoritetet Azerbajxhanase nuk kanë bërë njoftime për viktima ushtarake, një tregues se numri i përgjithshëm i të vdekurve mund të jetë shumë më i lartë, por ata raportuan të hënën për të paktën 31 vdekje të civilëve dhe qindra lëndime në mesin e popullatës civile.

Të dy vendet kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkeljen e një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia të arritur katër ditë më parë, duke zbehur shanset e arritjes së një marrëveshje paqeje.

Zëdhënësi i ministrisë azerbajxhanase të mbrojtjes, Vagif Dargiahly akuzoi ushtrinë e Armenisë për “shkelje të rëndë të armëpushimit humanitar” duke bombarduar territoret azerbajxhanase të Goranboit, Agdamit dhe Terterit.

Akuza u mohua nga zëdhënësi i ministrisë armene të mbrojtjes, Shushan Stepanyan, i cili tha se forcat azerbajxhanase rifilluan operacionet pas një periudhe relatavisht të qetë në natën e mëparshme dhe “u mbështetën nga sulmet active të artilerisë në drejtimet jugore, veriore, verilindore dhe lindore”.

Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar lëshoi një thirrje emergjente të martën për 10 milionë dollarësh shtesë për të financuar përpjekjet e tij humanitare në rajon.

Luftimet po shkaktojnë gjithashtu përhapjen më të shpejtë të koronavirusit në të dyja vendet. Zëdhënësi i OKB-së, Tarik Jasarevic tha në një konferencë shtypi në Gjenevë se rastet e reja në Armeni u dyfishuan gjatë dy javëve të fundit sipas të dhënave të publikuara, ndërsa rastet e reja u rritën rreth 80 për qind në Azerbajxhan gjatë javës së kaluar.

ME TE LEXUARAT