Anti-Kanabisi virtual, ose kur vetë policia pranon kapitullimin

Aktualitet
Anti-Kanabisi virtual, ose kur vetë policia pranon kapitullimin

SHKRUAN: Taulant Mane

Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e shtetit Tonin Vocaj bëri një deklaratë të rëndë mbrëmjen e të hënës në emisionin “Opinion”, kur duke u përpjekur të paraqesë një risi, tha se vitin e fundit, të gjitha informacionet apo denoncimet që janë bërë për parcela të mbjella me kanabis, janë verifikuar në mënyrë të centralizuar nga drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit me efektiva të dërguara nga Tirana. Nuk kam asgjë kundër kësaj metode, por nëse është ndjekur, mendoj se krijon disa probleme të cilat është me vend të analizohen.

*

Është bërë e rastit dhe e zakonshme që zyrtarë si Zoti Tonin Vocaj, apo më herët në vitet e fundit Albert Dervishi, Idajet Faskaj apo edhe Gjovalin Loka, të paraqiten në panele me shikueshmëri të lartë, rrallë, dhe jo për të informuar publikun e për të bërë transparencë, por vetëm në ato raste kur duhet ti bëjnë ballë një opinioni kritik të krijuar në media dhe në opinionin publik për punën e dobët të policisë, për mungesën e rezultateve, apo në rastin konkret, për pafuqinë dhe mungesën e efikasitetit në luftën ndaj kanabisit.

Dalja e personaliteteve të tilla të policisë në panelet e debatit dhe analizës ka si synim artikulimin në publik të një zëri autoritar, me eksperiencë të gjatë profesionale, që paraqitet si “njeriu që është marrë me çështjen” me qëllim për të bërë sa më shumë përshtypje tek gazetarët përballë në panel por më së shumti edhe tek publiku.

Synimi është i qartë, shpërbërja e mendimit kritik të krijuar si pasojë e debatit apo informacionit që ka mbizotëruar në media për një periudhë kohe të caktuar duke krijuar në opinion bindjen dhe mendimin për mungesën e rezultateve të policisë.

Dalja e fundit e Tonin Vocajt, erdhi pas një situate të mbarsur në media dhe në publik me mendimin se kanabisi është rikthyer e madje, ka arritur në ato nivele saqë konfliktet e individëve të përfshirë në këtë aktivitet, po arrijnë deri në vrasje, një situatë e ndodhur edhe në vitet 2015-2016-2017 në disa qarqe të vendit.

Pjesë e tendencës për të mos e ndryshuar realitetin me punë, por për tu krijuar qytetarëve një perceptim pozitiv me dalje mediatike, është edhe aksioni i fundit i policisë së shtetit, krejt i pazakontë, ku u tregohet gazetarëve se si duhet ti bëjnë lajmet, çfarë pamjesh duhet të përdorin dhe çfarë mbishkrimesh duhet të vendosin në këto pamje! Kjo është ndërhyrje në punën e medias dhe njësoj sikur një gazetar të shkojë dhe ti tregojë një polici se çfarë prove duhet të marrë në një vendngjarje e çfarë jo.

*

Pavarësisht qëllimit të mirë për të cilin mund të jetë nisur veprimi, përballja e zyrtarit të policisë kriminale me çështjen mendoj se dha efektin e kundërt. Zoti Vocaj pranoi se mes drejtorisë së përgjithshme dhe drejtorive rajonale dhe komisariateve ka një mungesë të theksuar besimi, përsa kohë çdo denoncim për kultivim kanabisi në rrethe verifikohet nga qendra.

Me këtë pohim, titullari i policisë kriminale në rastin më të keq pranoi ose kapitullimin e komisariateve, drejtorive dhe sektorëve të policisë në rrethe, të cilat janë të pabesueshme e të paafta për të luftuar kanabisin, ose në rastin më të mirë, tregoi një tendencë të drejtorisë së përgjithshme të policisë për të marrë rolin e protagonistit të rremë në luftën antikanabis.

Të thuash se vitin e fundit ke verifikuar me trupat e drejtorisë së përgjithshme çdo denoncim apo informacion që të ka ardhur për kultivim kanabisi nga Vermoshi deri në Konispol, do të thotë se këtë detyrë nuk e kanë bërë dot strukturat e policisë vendore, ose se ti si organ epror në qendër nuk ke besim tek këto struktura.

Nga ana tjetër mënyra si është vepruar, -në rast se ajo çka tha Zoti Vocaj nuk është një manovër mediatike- tregon edhe për një kosto të madhe të shkaktuar në buxhetin e shtetit me trupa dhe automjete që janë dërguar me shërbim për disa orë apo për disa ditë në rrethe me qëllim kontrollin e territorit dhe verifikimin e denoncimeve për kanabis.

Një tjetër arësye për dështimin e kësaj dalje të fundit të zyrtarit të lartë të policisë, lidhet edhe me situatën aktuale kur vrasjet e fundit në Malësi të Madhe, apo vetë kontrollet e policisë po faktojnë prezencën e parcelave me drogë në një pjesë të mirë të zonave të vendit.

Nga ana tjetër, një tjetër element që u la në harresë ishte edhe ngjarja e fundit në Elbasan, ku trupat e repartit RENEA vranë shtetasin Lefter Zhidru, 71 vjeç. Kjo ngjarje e rëndë që tronditi qytetin, është shembulli më i mirë kur situatat kriminale apo problematike të krijuara si pasojë e mosveprimit apo paaftësisë së strukturave të policisë në rrethe, kanë mbetur pa zgjidhje dhe kanë përfunduar keq, edhe pse për to, qytetarët kanë shkruar dhe denoncuar deri edhe në adresën e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit.

ME TE LEXUARAT