Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Drejtori i Policisë së Shtetit: Nga e enjtja çdo qytetar i detyruar të mbajë maskë kur del nga shtëpia

Ndonëse vendimi apo akti i qeverisë nuk është miratuar ende por vetëm paralajmëruar, Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu deklaroi sot se nga enjtja çdo qytetar i detyruar të mbajë maskë kur del nga shtëpia dhe se policia do monitorojë të gjitha ambientet dhe hapësirat publike.

“Rastet e shtetasve të infektuar me COVID-19 kanë shënuar një rritje të lehtë, sipas të dhënave nga Shëndetësia. Një rritje e tillë e të infektuarve po vërehet edhe në shumë vende të botës. Disa prej këtyre shteteve kanë nisur marrjen e masave të forta për parandalimin e infeksionit.
Edhe në vendin tonë kanë nisur të merren disa masa në mënyrë që të pengohet përhapja masive e virusit. Duke filluar nga dita e enjte, çdo qytetar është i detyruar të mbajë maskën mbrojtëse që në momentin kur del prej shtëpisë së vet.
Kjo masë është në përputhje me udhëzimet e dala nga autoritetet shëndetësore. Mbajtja e një maske në fytyrë ul në mënyrë të ndjeshme rrezikun e përhapjes së infektimit”, deklaroi Veliu.

Sipas tij, qëllimi kryesor është të mbrojmë popullatën nga rreziqet që paraqet virusi.
“Së dyti, me marrjen e një mase të tillë, synojmë edhe të shmangim një mbyllje si ajo e pranverës së këtij viti. Për qytetarët është më e lehtë të mbajnë një maskë dhe të zbatojnë rregullat e distancimit social, sesa t’u nënshtrohen kushteve të rrepta të mbylljes.

Policia e Shtetit do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj, në krah të strukturave të tjera, për të garantuar zbatimin e masave të caktuara nga autoritetet e Shëndetësisë.
Patrullat policore do të monitorojnë në mënyrë rigoroze të gjithë ambientet dhe hapësirat publike ku nga e enjtja do të jetë detyrim mbajtja e maskës.
Duke përfituar nga rasti ftoj qytetarët që, siç kanë dëshmuar më herët në masë të madhe vullnetin për bashkëpunim, të respektojnë masat dhe të mbështesin autoritetet policore në zbatimin e këtij detyrimi”, tha drejtori i policisë.

Ai theksi se në çdo rast të konstatimit të shtetasve që u shmangen detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit do të reagojë në përputhje me ligjin dhe detyrat e saj funksionale.

“Qëllimi ynë nuk është ndëshkimi i qytetarëve, por mbrojtja e jetës dhe shëndetit të tyre.
Ndaj duke besuar se qytetarët do të jenë në krahun tonë, për t’i minimizuar efektet e pandemisë, bëj thirrje që të gjithë bashkë të tregojmë se vetëm duke respektuar rregullat mund të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të këtij virusi të rrezikshëm”, deklaroi Ardi Veliu.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet