Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Tërheqje parakohe e SHBA, Trump: Ushtarët amerikanë në Afganistan deri për Krishtlindje kthehen në atdhe

Presidenti i SHBA tha të mërkurën se synon të kthejë në atdhe të gjitha forcat amerikane nga Afganistani para fundit të vitit, shumë më shpejt sesa ishte njoftuar pak më parë nga administrata e tij.

Donald Trump shkroi mbrëmë vonë në Twitter se “Numri i vogël i mbetur i burrave dhe grave tona trime që shërbejnë në Afganistan duhet të jenë në shtëpi deri në Krishtlindje!”.

Lufta në Afganistan, më e gjata e Amerikës në tokë të huaj, filloi në vitin 2001 kur forcat amerikane ndërhynë në përgjigje të sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington.

Ndërhyrja amerikane në Afganistan rrëzoi talebanët e vijës së ashpër që strehonin rrjetin terrorist të al-Kaidës dhe udhëheqësin e tij, Osama bin Laden, organizatori i sulmeve të 11 shtatorit.

Në shkurt të këtij viti SHBA dhe talebanët arritën një marrëveshje për tërheqjen e të gjitha forcave amerikane nga Afganistani deri nga mesi i vitit 2021 në këmbim të garancive të dhëna nga talebanët për të mos lejuar që grupet terroriste të përdorin tokën afgane për sulme ndaj të tjerëve.

Talebanët janë përfshirë në negociata ndër-afgane për një marrëveshje të përhershme armëpushimi dhe ndarjen e pushtetit në Afganistanin e pasluftës.

Vetëm disa orë përpara komentit të Presidentit Trump, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien kishte thënë se Shtetet e Bashkuara synojnë të ulin nivelet e trupave të tyre në Afganistan nga 5,000 në 2,500 deri në fillim të vitit 2021.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet