Sherri për kanabisin në Malësi të Madhe/ “Njërin e qëllova në ballë, tjetrin se di a e vrava”, çfarë i tha autori i dyshuar vëllait

Aktualitet
Sherri për kanabisin në Malësi të Madhe/ “Njërin

Detaje tronditëse dalin në dritë nga zhdukja e tre të rinjve në Malësinë e Madhe, ku ka shumë dyshime se Danjel Pepaj ka vrarë Vilson Çutajn dhe Klement Pepajn. Është siguruar dëshmia e disa banorëve të fshatit Vrith. Sipas tyre ka shumë dyshime se ai i ka qëlluar me armë zjarri, pas sherrit për parcelat me kanabis. Duke u bazuar tek këto dyshime, mendohet se pasi i ka qëlluar me armë, Danjel Pepaj dyshohet se ka telefonuar vëllain e tij që ndodhet në Itali duke i treguar se çfarë ka ndodhur dhe duke i thënë se “njërin e kam qëlluar në ballë direkt ndërsa për tjetrin nuk e di nëse ka vdekur apo jo”. Vëllai i tij dyshohet se i është përgjigjur duke i thënë “spostohu 30 metër dhe qëllo edhe veten se nuk ke çfarë bën më”.

Në linjën e dyshimeve mendohet se Pepaj ka zbritur nga mali dhe se ka shkuar në shtëpinë e tij dhe ka ndërruar rrobat. Më pas një person ka dyshime se e ka shoqëruar nga banesa deri në Zagorë. Aty Danjel Pepaj i ka kërkuar një tjetër personi që ta çojë me makinë drejt Kastratit në Malësinë e Madhe duke paguar një shumë më të madhe parash për këtë rrugëtim që nuk është e zakonshme. Që nga ky moment është e paqartë se ku ndodhet Danjel Pepaj i cili mësohet se ka thënë gjithashtu se “jam penduar që nuk kam qëlluar edhe vëllanë e Vilsonit se për ata dy nuk e kam problem”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Danjel Pepaj dyshohet se në ndonjë banesë gjatë rrugës është mjekuar në rrugë popullore pasi ka patur dëmtime të konsiderueshme nga goditjet. Më pas ka përfunduar në Kastrat ndërsa nuk dihet nëse është ende aty apo është fshehur në ndonjë vend tjetër. Po ashtu nuk dihet nëse ai ndodhet ende në Shqipëri, apo ka kaluar në Malin e Zi.

Ndërkohë sipas burimeve nga fshati Vrith babai i Danjel Pepaj, Rrok Pepaj është ngujuar në shtëpinë e tij pasi familja Çutaj i ka vendosur një ultimatum për të treguar çfarë ka ndodhur dhe mbi fatin e trupave të djemve. Ky afat tashmë ka mbaruar para dy netësh dhe tashmë Rrok Pepaj ndodhet i ngujuar. Deri para dy netësh familjet të gjitha bashkë në besë ndaj njëri-tjetrit kanë kërkuar për trupat, por tashmë ultimatumi ka përfunduar. Sipas burimeve kushërinjtë e Vilson Çutaj kanë ardhur nga jashtë Shqipërisë pas kësaj ngjarje të rëndë.

Policia vendore e Shkodrës ka kërkuar nga ajri përmes një droni përveç kërkimit fizik por deri më tani ende nuk janë gjetur trupat që mendohen si të vrarë. Nga ana tjetër banorë dhe familjarë janë penguar që të kërkojnë në gjithë territorin malor duke qenë se dyshohet se ka ende parcela atje të cilat këto ditë presin që të korren. Pas korrjes së parcelave pritet që të ketë më shumë shpresë për të gjetur trupat e pajetë.

ME TE LEXUARAT