Komisionari i Bashkimit Evropian: Kosova të përshpejtojë reformat në rrugën evropiane

Kosovë&Rajon
Komisionari i Bashkimit Evropian: Kosova të përshpejtojë reformat

Olivier Varhelyi, Komisionari i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe negocim të zgjerimit, tha sot se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe ky është interes strategjik i vendeve evropiane.

Varhelyi i bëri këto komente gjatë qëndrimit në Prishtinë, pak ditë pas publikimit të Raportit të përparimit të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Varhelyi tha se Bashkimi Evropian do të ndajë fonde dhe do të ndihmojë vendet e Ballkanit për të përmbushur kushtet për integrim evropian.

Ai përmendi planin e investimeve që parashikon ndarjen e fondeve miliardëshe për të ndihmuar vendet e rajonit.

Bashkimi Evropian miratoi këtë javë një pako prej 9 miliardë eurosh të granteve për Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2027.

“Sidoqoftë, rritja e investimeve dhe e zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor do të jetë e mundur vetëm nëse qeveritë janë vendosmërisht të përkushtuara dhe zbatojnë reformat themelore bazuar në vlerat evropiane; qoftë reformat ekonomike strukturore, forcimin e sundimit të ligjit ose përmirësimin e administratës publike, këto reforma janë thelbësore”, tha ai.

Komisionari Varhelyi tha se heqja e tarifës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina i ka hapur rrugën rifillimit të bisedimeve dhe mundësisë për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Përshpejtoni reformat sepse këto investime shkojnë së bashku me përpjekjet për reforma dhe e di që qeveria juaj është mjaft e përkushtuar, mirëpo duhet të angazhohet dhe zotohet më shumë për shpejtimin e reformave që lidhen me sundimin e ligjit”, tha ai.

ME TE LEXUARAT