Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Debati mes kandidatëve për nënpresident në SHBA merr rëndësi të veçantë

Debati i së mërkurës mbrëma midis nënpresidentit Mike Pence dhe kandidates demokrate për nënpresidente, senatores Kamala Harris është një tjetër episod në një varg aktivitetesh politike që po ndikohen nga pandemia e koronavirusit.

Në çdo cikël normal zgjedhjesh presidenciale, debati mes kandidatëve për nënpresidentë shihet si i dorës së dytë, pasi janë ato mes kandidatëve për presidentë që zakonisht krijojnë momentet më të paharrueshme për votuesit.

Por pas prekjes të presidentit 74-vjeçar Donald Trump javën e kaluar me COVID-19, dhe stilit shumë të kujdesshëm të fushatës së sfiduesit të tij demokrat, ish-zëvendëspresidentit 77-vjeçar Joe Biden, votuesit ndoshta do ta shohin më nga afër garën Pence-Harris, të cilët do të ishin të gatshëm t’i zëvendësonin nëse do të ishte e nevojshme.

Zoti Pence, 61 vjeç, ish anëtar i Kongresit dhe ish guvernator, vjen në debatin që zhvillohet në Salt Lake City të shtetit Juta me një pozicionim të veçantë, në një kohë që Presidenti Trump po merr veten në Shtëpinë e Bardhë pas diagnostikimit me virusin mjaft ngjitës dhe madje vdekjeprurës.

Ndërkohë senatorja Harris, 55-vjeçe, ish-Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë, që kërkon të jetë gruaja e parë dhe afrikano-amerikania e parë që bëhet nënpresidente, vjen në qendër të vëmendjes për shkak të moshës së kandidatit Biden.

“Ky vit është i ndryshëm, jo vetëm për shkak të koronavirusit, jo vetëm për faktin se mund të mos zhvillohet një debat tjetër presidencial, por edhe sepse dy kandidatët kryesorë janë në të shtatëdhjetat”, thotë Todd Belt, ekspert në Universitetin George Washington.
“Dimë se njëri në çdo katër presidentë nuk e përfundon mandatin në detyrë,” thotë ai. “Dhe kjo i bën Zëvendës Presidentin Pence dhe Senatoren Kamala Harris shumë të rëndësishëm përsa i përket vemendjes që marrin, pasi ata mund të jenë pasardhës të këtyre kandidatëve.”
Kur zoti Pence të ngjitet në skenën e debatit në Universitetin e Jutas, ai mbyll një javë gjatë së cilës mbajti barrën kryesore të detyrave të fushatës pasi Presidenti Trump ishte shtruar në spital për koronavirusin. Për më tepër, ai synon të shtojë aktivitetet e fushatës pas debatit, pavarësisht nga rreziqet e pandemisë.

“Krejt papritur, në Shtëpinë e Bardhë ka një shpërthim të COVID-19-s që prek presidentin, e dërgon atë në spital, dhe kjo po e bën publikun amerikan të mendojë më thellë për rolin e nënpresidentit”, thotë Capri Cafaro, ekspert në Universitetin Amerikan.

Kjo i ndryshon pritshmëritë për debatin mes kandidatëve për nënpresidentë, pas atij presidencial të javës së kaluar Trump-Biden, që u kritikua gjerësisht për ndërhyrjet e shumta te fjala e njëri-tjetrit dhe mospërmbajtjen.

Ndërsa debatet mes kandidatëve për nënpresidentë shpesh shihen si mundësi për të dy fushatat që të ndërmarrin sulme të ashpra kundër njëri-tjetrit, disa ekspertë politikë parashikojnë që Pence dhe Harris do të përfaqësojnë anët më pak antagoniste të dysheve të tyre.

Ka mundësi, edhe pse vështirë të ndodhë, që përplasja Pence-Harris të shënojë debatin e fundit me një pjesëmarrje fizike në ciklin zgjedhor presidencial, nëse zoti Trump, për shkak të shëndetit, nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në debatet e planifikuara në Majemi dhe Nashville të shtetit Tenesi. Sidoqoftë, pasi doli të hënën nga Qendra Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed në Bethesda të Merilendit, Presidenti Trump këmbënguli se ai mezi priste për të marrë pjesë në debatin e ardhshëm.

“Kjo i shton gjithnjë e më shumë peshë dhe kuptim debatit, veçanërisht për dyshen Trump-Pence, që duhet të gjejë një mënyrë për të ndryshuar dinamikën e kësaj gare,” thotë William Howell, profesor për politikën amerikane në Universitetin e Çikagos. “Ata janë gjashtë apo tetë për qind prapa. Ata duhet të bëjnë diçka për të ndryshuar dinamikën e kësaj gare.
Ky nuk është shansi i tyre i fundit për ta bërë këtë, por është një mundësi e rëndësishme.”
Për ta bërë këtë, analistët thonë se zoti Pence ka të ngjarë të minimizojë përvojën e tij të gjatë qeveritare apo vlerat konservatore dhe ta përqendrojë vemendjen te politikat ekonomike dhe sociale të Presidentit Trump si dhe tek suksesi në zhvendosjen shumë më djathtas të sistemit të gjykatës federale dhe Gjykatës së Lartë.

Zoti Pence, i cili ka kryesuar grupin e posaçëm të punës për koronavirusin në Shtëpinë e Bardhë, gjithashtu do të përpiqet të bëjë çmos për të marrë në mbrojtje punën e Presidentit Trump për luftimin e virusit në SHBA, pavarësisht nga më shumë se 210,600 vdekje dhe më shumë se 7.4 milion infeksione, sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins.

Sipas analistëve, ka mundësi që zoti Pence ta lidhë senatoren Harris me protestat e dhunshme në qytetet kryesore të vendit për drejtësi racore, duke bërë një krahasim midis të kaluarës së saj si prokurore dhe mbështetjes së saj të mëvonshme për grupin Black Lives Matter.
Nga ana e saj, zonja Harris shpesh ka përdorur përvojën si ish-prokurore e përgjithshme e Kalifornisë për të sjellë efekte në mjedisin gati teatral të seancave dëgjimore në Senat, duke u drejtuar pyetje të ashpra dëshmitarëve. Por debatet kanë një format shumë të ndryshëm, thonë ekspertët, dhe zonja Harris do të duhet të ndjekë një linjë të hollë në sulmin ndaj politikës së administratës ndaj pandemisë në një kohë që presidenti është ende duke u shëruar nga koronavirusi.

“Gjëja kryesore në lidhje me debatet është që të mos bësh dëm, apo jo? Mos i bëj dëm dyshes tënde”, thotë Todd Belt, i Universitetit George Washington.
“Kamala Harris njihet si një debatuese e ashpër. Ajo ka qenë prokurore. Ne kemi parë se si ajo i merr në pyetje njerëzit në Komisionin Juridik të Senatit. Asaj i pëlqen të jetë në sulm.”

“Por tani, nuk është kjo ajo që i duhet fushatës së zotit Biden,” tha ai. “Ata po ecin jashtëzakonisht mirë në sondazhe. Veçanërisht në shtetet e lëkundura; tani ajo duhet të mos prishë punë.”
Për këtë debat, Komisioni për Debatet Presidenciale ra dakord me kërkesën e fushatës së zotit Biden për masa shtesë sigurie, duke rritur distancën midis kandidatëve nga 7 në 13 metra. U ra dakord ndërkaq që mes debatuesve të vendoset një barrierë prej pleksiglasi, një ide që ekipi i zotit Pence e kishte kundërshtuar më parë.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet