Masa të reja ndaj pandemisë në evropë/ Në rritje numri i të infektuarve

Bota
Masa të reja ndaj pandemisë në evropë/ Në rritje numri

Disa vende evropiane po marrin masa të reja kundër koronavirusit, kjo pasi numri i të infektuarve po rritet.

Franca vazhdon të ketë një rritje të shpejtë të rasteve të reja. Gjatë fundjavës, ky vend shënoi 30.000 persona të infektuar me COVID-19.

Autoritetet franceze kanë ndërmarrë masa të reja në Paris. Restorantet do të jenë në gjendje të qëndrojnë të hapura me protokolle të reja shëndetësore, orë të shkurtuara pune dhe do të regjistrojnë detajet e kontaktit të klientëve. Puna nga shtëpia gjithashtu po inkurajohet fuqimisht.

Pacientët e infektuar me koronavirus përbëjnë më shumë se 30 përqind të shtretërve të kujdesit intensiv. Zhvillimet në Paris janë domethënëse sepse qytete të tjerë të mëdhenj francezë, duke përfshirë Lille, Lyon, Grenoble dhe Toulouse gjithashtu po kalojnë pranë pragut maksimal të alarmit.

Vendet që dikur e kishin vënë nën kontroll përhapjen e virusit me bllokime dhe protokolle shëndetësore, tani po përballen me një ringjallje shqetësuese, derisa ekspertët e shëndetësisë paralajmërojnë një vjeshtë dhe dimër të vështirë përpara.

Mbretëria e Bashkuar ka vendosur kufizime në tubimet e njerëzve dhe pothuajse një e treta e popullsisë prej 66 milionë banorësh të vendit është nën masa më të forta lokale të izolimit.

Spanja ka vendosur Madridin dhe rajonin përreth tij – një zonë me më shumë se 6 milionë njerëz – në bllokim të pjesshëm.

Qeveria çeke ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke filluar nga 5 tetori me masa të reja kufizuese. Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, mesatarisht 303.3 njerëz në 100,000 banorë ishin infektuar me virus në Republikën Çeke, në 14 ditët e fundit.

Autoritetet shëndetësore të Irlandës i rekomanduan qeverisë që vendi të zbatojë një bllokim të dytë mbarëkombëtar për katër javë.

Vetëm Gjermania mbajti shkallën e infeksionit dhe vdekjeve nga Covid-19 në nivele më të ulëta krahasuar me vendet e tjera evropiane gjatë valës së parë në pranverë.

ME TE LEXUARAT