Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

“Je bërë e bukur drejtoreshë, sa mirë je veshur sot”, policia nis hetimin për emailin anonim

Letrat anonime tanimë mund të thuhet me plot gojën se janë zëvendësuar me e-mailet apo postimet përmes profileve false. Një burim i Gazetës “Si” pranë sektorit kundër krimit kibernetik shpjegoi hetimin e nisur sa i përket zbulimit të të dhënave të një status shkruesi.

Përmbajtja e mesazhit i është postuar në inbox administratorit të Ujësjellësit në periferi të Tiranës dhe veç statusit aty njoftoheshin punonjësit që të mbanin qëndrim dhe të shkonin një orë me vonesë në punë për të edukuar shefat që sipas anonimit po shpërndanin punën në formë preferenciale. Punonjësi i shkruan administratorit se për shkak të komplimenteve që i jepeshin drejtoreshës, sedra e saj miklohet aq shumë sa ajo me njëanshmëri shpërndante edhe punën, duke i lënë më tepër ngarkesë indiferentëve dhe më pak punë atyre që i thoshin “je bërë e bukur drejtoreshë, sa bukur je veshur sot”.

Kjo histori në dukje si një inat dhe thashethem lagjeje nuk e ka frenuar krimin kibernetik të thërrasë një për një punonjësit e ujësjellësit të një dege në periferi të kryeqytetit dhe t’i pyesë një për një nëse kishin apo jo dijeni për identitetin e personit që posedon llogarinë A. M., prej nga është shkruar për pabarazinë në punë. Mes të pyeturve sipas burimeve të gazetës Si gjenden shefi i Task Forcë së ujësjellësit me inicialet V. XH., i cili ka ngritur supet dhe ka deklaruar “vërtet e kam mik në Facebook këtë adresë, por nuk e kam idenë se kush është”. Të njëjtën gjë ka konfirmuar edhe S. C po ashtu punonjës në ujësjellës sipas të cilit liket që i kishte dhënë profili fals ishin të panjohura se prej kujt vinin.

Policia sipas burimeve të gazetës Si nisi veprimet hetimore menjëherë sapo në Drejtorinë Qendrore dorëzoi denoncim administratori i Sha Ujësjellës në periferi të Tiranës. Sipas tij prej janarit deri në shtator herë pas here një adresë i shkruan dhe e njofton për komplimentet ndaj drejtoreshës, dhe këto veprime online përcilleshin edhe në statuse të ndryshme akuzuese dhe denoncuese. Kallëzuesi i pohon policisë se e-mail shkruesi dhe dërguesi i mesazheve në inbox të Facebook e njofton se ai është një punonjës në ujësjellës dhe e vë në dijeni se në zyrat ku ai është i angazhuar abuzohet me detyrën. “Në degën e ujësjellësit ku ne punojmë, 10 për qind punojnë tmerrësisht shumë, 40 për qind bëjnë sikur punojnë pa bërë absolutisht asgjë, por më e tmerrshmja është se 50 për qind e punonjësve të tjerë komplimentojnë drejtoreshën që ta mbajnë mirë me të. Ndonjëherë i bëjnë komplimente partnerit të saj dhe ndonjëherë direkt asaj dhe si shpërblim ata nuk lëvizin as gishtin”.

Sipas burimeve në status shkruhet mes kolegëve “shkurtimisht të dashur kolegë aty e bën ligjin e dashura dhe të premten ju kërkoj që në shenjë proteste të vijmë me një orë vonesë”.

Kallëzuesi pretendon se me këto qëndrime virtuale ka shumë shpifje dhe intriga dhe se përmes kësaj loje po përgojohen persona të shumtë dhe se është krijuar një frymë bullizmi, ku vërehet përçarje mes kolegëve. Policia bën me dije jo zyrtarisht se vazhdon të pyesë punonjësit ndërsa linku dhe të dhënat pas këqyrjes do të verifikohen më tej për të zbuluar anonimin, që ka prishur qetësinë dhe që siç duket nuk mund të bashkohet me 50-përqindëshin e “servilëve”.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet