“Shqetësim serioz, burim i madh polemikash”, KE kritikon këto tre shtete. Ja pse

Bota
“Shqetësim serioz, burim i madh polemikash”, KE kritikon

Komisioni Evropian, që është krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian, kritikoi reformat në drejtësi, të bëra nga Qeveria e Hungarisë dhe ajo e Polonisë, duke i cilësuar si “burim të madh të polemikave” dhe “shqetësim serioz”. KE-ja e bëri vlerësimin në raportin e saj të parë rreth dështimeve në sundimin e ligjit në të gjithë bllokun.

Raporti u publikua të mërkurën, një ditë para se 27 udhëheqësit e BE-së të mblidhen në Bruksel për një samit dyditor.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Raporti thotë se Hungaria është në mesin e vendeve anëtare ku “drejtimi i ndryshimit ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me ndikimin e reformave në pavarësinë e gjyqësorit”, ndërsa “reformat në drejtësi në Poloni, që nga viti 2015, kanë qenë një burim i madh i polemikave”.

Ministri hungarez i Drejtësisë, Judit Varga, e hodhi poshtë raportin përmes një deklarate në Facebook, ku tha se ai ka “të meta” dhe është “i pabazuar”.

Varshava dhe Budapesti janë përplasur vazhdimisht me udhëheqësit e BE-së, për shkak të hapave që kanë ndërmarrë për të rritur kontrollin e shtetit në gjyqësor, media, organizata joqeveritare dhe akademi.

Raporti i Sundimit të Ligjit 2020 adreson sistemet e drejtësisë, kornizat anti-korrupsion, lirinë e medias e të tjera.

Sipas tij, në Hungari, ndjekja penale e korrupsionit të nivelit të lartë “mbetet shumë e kufizuar”.

Bullgaria dhe Rumania janë po ashtu në mesin e vendeve të kritikuara për mangësi në sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit.

Raporti e veçon Bullgarinë për kërcënime ndaj gazetarëve dhe mungesë transparence në pronësinë e mediave.

Ky raport mund të ketë pasoja për negociatat mbi buxhetin afatgjatë të bllokut.

Udhëheqësit e BE-së kanë rënë dakord në parim për një paketë të rimëkëmbjes ekonomike në vlerë prej 1.8 trilion eurosh për periudhën 2021-2027, por ata ende nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për mekanizmin e shpërndarjes.

“Sundimi i ligjit dhe vlerat tona të përbashkëta janë themeli i shoqërive tona”, tha të mërkurën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Raporti vjen pasi Komisioni Evropian, në fillim të kësaj jave, e hodhi poshtë kërkesën e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, për të shkarkuar zëvendëspresidenten e KE-së, Vera Jourova, pasi kjo e fundit tha se vizioni i tij i “demokracisë joliberale” çon në fakt drejt krijimit të një “demokracie të sëmurë” në Hungari. Rel

 

ME TE LEXUARAT