Tërmetet dhe pandemia/ VOA: 80% e bizneseve në Shqipëri të drejtuara nga gratë u goditën rëndë

Aktualitet
Tërmetet dhe pandemia/ VOA: 80% e bizneseve në Shqipëri të

Në Shqipëri, dy tërmetet e vjeshtës së kaluar dhe pandemia Covid-19 kanë dëmtuar ndjeshëm edhe sipërmarrjet e drejtuara nga gratë.

Sipas një studimi të shoqatës “Together for Life”, tërmetet dhe pandemia ndikuan negativisht në 80 për qind të bizneseve të administruara nga zonjat.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ato u detyruan të reduktojnë punëtorët dhe prodhimin, apo edhe të mbyllen përkohësisht.

Studimi “Klima e biznesit dhe ndikimi te gratë sipërmarrëse pas dy tërmeteve dhe pandemisë” bazohet në intervistat me 200 gra biznesmene në Tiranë, Durrës dhe Lezhë, të cilat janë 3 zonat më shumë të goditura nga tërmeti, si dhe 3 qarqet ku janë përqëndruar sipërmarrjet e drejtuara nga zonjat, afro gjysma e të cilat gjenden në kryeqytet.

Sipas studimit, më shumë se 8 nga 10 ndërmarrje të drejtuara nga zonjat u ndikuan negativisht nga dy tërmetet dhe nga Covidi. Më shumë janë dëmtuar bizneset e zonjave në Durrës dhe Lezhë.

Një pjesë e madhe këtyre bizneseve pësuan ulje të fitimeve dhe xhiros, ndërsa 1 në 3 ndërmarrje pezulluan përkohësisht veprimtarinë, thotë Alma Lahe, një nga bashkautoret e studimit.

Studimi nxori se një në 4 biznese të drejtuara nga zonjat pësuan dëmtime materiale në fabrika, dyqane, zyra e magazine.

Një në 5 ndërmarrje kanë ulur numrin e punonjësve paralelisht me vëllimin e prodhimit.

Gjatë fazës së parë të pandemisë mars-qershor gjysma e ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë bllokuan plotësisht veprimtarinë ose e pezulluan atë.

Gjysma e këtyre sipërmarrjeve pësuan ulje të fitimeve dhe të xhiros. Një në tre prej tyre hasën vështirësi për të shyer detyrimet ndaj shtetit dhe palëve të treta, ndërsa 3 nga 10 shtuan shpenzimet për të plotësuar kushtet higjeno-sanitare dhe dezinfektimeve.

Gratë sipërmarrëse kërkuan një vëmendje më të madhe nga shteti për ndërmarrjet e tyre të vogla e të reja, si dhe ndaj biznesve më të mëdha me shumë punëtorë.

Shumica e tyre kërkojnë lehtësimin e barrës fiskale, ose reduktimin e TVSH-së dhe taksave qendrore e vendore, të paktën për 6-12 muaj.

Nga intervistat doli se 4 në 10 gra sipërmarrëse kërkojnë reduktimin e kontributeve shoqërore e shëndetësore për punonjësit, lehtësime për qeranë dhe kredi të buta, si dhe grante e subvensione.

Pjesa më e madhe e barrës së krijuar nga pandemia u shkarkua mbi punonjësit. Një në 5 ndërmarrje shkurtuan punonjësit ose ulën pagat e tyre.

Edhe pse kanë kaluar 6 muaj nga miratimi i paketës së plotë fiskale e qeverisë për të ndihmuar popullatën dhe biznesin e dëmtuar nga tërmeti, vetëm një në 5 ndërmarrje pohuan se kanë marrë mbështetje nga qeveria qendrore apo vendore.

Pjesa më e madhe e tyre pohuan se nuk kanë marrë asnjë lloj mbështetje, edhe pse u ndikuan fort nga tërmeti.

Ndërsa gjatë pandemisë një në 3 gra sipërmarrëse pohoi se nuk ka marë asnjë mbështetje, megjithë pasojat e rënda nga pandemia Covid.

Një në 5 biznese pohuan se kanë marrë ndihmën prej 400 dollarësh për periudhën 3-mujore prill-qershor, ndërsa 1 në 7 biznese pohoi se ka marrë pagën e luftës prej 250 dollarësh.

Gjysma e këtyre bizneseve parashikojnë ulje të xhiros dhe fitimeve për periudhën e pandemisë maj-tetor, një në 4 prej tyre pritet të ulë vëllimin e prodhimit dhe parashikon të hasë vështirësi në furnizimin me lëndë të para.

Për këtë shkak, 1 në 4 gra sipërmarrëse pohojnë se do të vijojnë të paguajnë punonjësit me paga të reduktuara, dhe 1 në 5 se do të shkurtojnë punëtorët. 3 në 10 biznese pohuan se do t’I drejtohen huamarrjes, disa në banka dhe disa në borxhe tek individë të besueshëm.

ME TE LEXUARAT