Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Si e shkundën botën ‘grabitqarët’ më të mëdhenj?

Vetëdija unike e njerëzimit, e veshur me viruse, hap rrugë të reja për ta mbajtur nën kontroll kërcënimin viral. Hulumtimet e reja të nxitura nga pandemia e Covid-19 do të rrisin fuqinë për të studiuar sferën virale dhe për të arritur përgjigjet më të mira që mund të japë trupi ndaj këtyre organizmave – duke e çuar mbrojtjen kundër viruseve në një nivel të ri.

Njerëzit e konsiderojnë veten si grabitqarët më të mëdhenj të botës. Këtë na e tregon heshtja e tigrave dhëmbëshpatë, mungesa e zogjve moa nga Zelanda e Re dhe lista e gjatë e megafaunës në rrezik.

Por sars-cov-2 ka treguar se njerëzit gjithashtu mund të përfundojnë duke u kthyer në pre. Viruset kanë shkaktuar një sërë pandemish moderne, nga Covid-19 në HIV/SIDA, e deri tek shpërthimi i gripit në vitet 1918-1920, që vrau shumë më tepër njerëz se Lufta e Parë Botërore. Para kësaj, kolonizimi i Amerikës nga europianët u nxit – mbase edhe u bë i mundur – nga epidemitë e dhenve, fruthit dhe gripit, të sjella padashur nga pushtuesit, të cilat asgjësuan shumë nga banorët vendas.

Megjithatë, ndikimi i viruseve në jetën mbi Tokë, shtrihet shumë më gjerë se tragjeditë e kaluara dhe të tanishme të një specieje të vetme, sado të rëndësishme që mund të duken. Megjithëse studimi i viruseve nisi si një hetim mbi atë çka dukej si një pjesë e çuditshme patogjenësh, hulumtimet e fundit kanë zbuluar se ata janë në zemër të një shpjegimi mbi strategjitë e gjeneve.

Viruset janë të shumëllojshëm dhe të pafund. Dhe po bëhet gjithnjë e më e qartë sa kanë ndikuar në evolucionin e të gjithë organizmave që nga fillimet e jetës në tokë. Ata dëshmojnë fuqinë e verbër dhe të pamëshirshme të përzgjedhjes natyrore, në formën e saj më dramatike. Dhe – për një grup gjitarësh me dy këmbë dhe mjaft mendjemprehtë – ata gjithashtu paraqesin një përzierje të rëndë kërcënimi dhe mundësie.

Viruset mund të perceptohen si pako me materiale gjenetike që shfrytëzojnë metabolizmin e një organizmi tjetër për t’u riprodhuar. Ata janë parazitë të llojit më të pastër: huazojnë gjithçka nga “mikpritësi” përveç kodit gjenetik që i bën ata që janë. Viruset e zhveshin jetën duke u mbështetur në bazat e informacionit gjenetik dhe përsëritjen e tij. Për nga këndvështrimi i ekzistencës në bollëk, kjo është me të vërtetë një strategji shumë e suksesshme.

Bota është e mbushur me viruse. Një analizë e ujërave të detit zbuloi 200,000 lloje të ndryshme speciesh virale, dhe ky studim nuk ishte parashikuar të ishte gjithëpërfshirës. Hulumtime të tjera tregojnë se vetëm një litër ujë deti, mund të përmbajë më shumë se 100 miliardë grimca virusi, dhe një kilogram tokë e thatë, dhjetë herë më tepër. Gjithsej, sipas llogaritjeve të përafërta, bota mund të përmbajë 1031 viruse – pra dhjetë në fuqi të tridhjetë e një, duke tejkaluar lehtësisht format e tjera të jetës në planet.

Sulmet e viruseve

Viruset – shpesh të llojeve të ndryshme – janë përshtatur për të sulmuar çdo organizëm që ekziston. Një arsye pse ata janë mjete të evolucionit, është sepse mbikëqyrin një masakër të pamëshirshme dhe të jashtëzakonshme, duke pësuar mutacion gjatë procesit. Kjo është veçanërisht e qartë në oqeane, ku një e pesta e planktonit njëqelizor vritet nga viruset çdo ditë. Ekologjikisht, kjo promovon diversitetin duke rralluar llojet e shumta të specieve dhe duke krijuar hapësirë për ato më të rrallat.

Sa më i zakonshëm të jetë një organizëm, aq më e mundur është që të zhvillohet një valë lokale virusesh, e specializuar për ta sulmuar atë dhe për ta mbajtur nën kontroll.

Kjo prirje për të shkaktuar dëm është gjithashtu një stimul i fuqishëm evolucionar që preja të zhvillojë mekanizma mbrojtës, dhe këto mjete mbrojtëse ndonjëherë kanë pasoja më të gjera. Për shembull, një shpjegim pse një qelizë mund të shkatërrojë veten qëllimisht, është sepse sakrifica e saj ul ngarkesën virale në qelizat e afërta të lidhura ngushtë me të.

Në këtë mënyrë, gjenet e saj, të kopjuara në qelizat fqinje, kanë më shumë të ngjarë të mbijetojnë. Kështu, një vetëvrasje e tillë altruiste është një parakusht që qelizat të bashkohen dhe të formojnë organizma më komplekse, siç janë bizelet, kërpudhat, apo edhe qeniet njerëzore.

Arsyeja tjetër pse viruset janë motorë të evolucionit, është sepse ata janë mekanizma transporti për informacionin gjenetik. Disa gjenoma virale përfundojnë duke u integruar në qelizat e trupave të huaj ku jetojnë, dhe mund të përcillen më pas tek pasardhësit e këtyre organizmave. Rreth 8% deri në 25% e gjenomit njerëzor, mendohet se ka origjinë të tillë virale. Por viruset në vetvete mund të “merren peng”, dhe gjenet e tyre mund të shfrytëzohen për përdorime të reja.

Për shembull, aftësia e gjitarëve për të mbartur të vegjël, është pasojë e një gjeni viral, që është modifikuar për të lejuar formimin e placentave. Madje edhe vetë truri i njeriut është zhvilluar pjesërisht falë lëvizjes së elementeve të ngjashme me viruset brenda trurit, që krijojnë ndryshime gjenetike midis neuroneve brenda një organizmi të vetëm.

Viruset dhe evolucioni

Pjesa më tërheqëse e evolucionit është fakti se kompleksiteti mund të lindë nga konkurrenca e qëndrueshme, e paepur dhe nihiliste, brenda dhe ndërmjet organizmave. Vetë fakti që ju keni aftësinë për të lexuar dhe për të kuptuar këto fjalë, është pjesërisht një përgjigje ndaj veprimeve të replikuesve të imët e të vegjël, që me siguri kanë vazhduar pasi u shfaq jeta për herë të parë në Tokë, rreth 4 miliardë vjet më parë. Por rrugëtimi i viruseve nuk ka përfunduar ende.

Vetëdija unike e njerëzimit, e veshur me viruse, hap rrugë të reja për ta mbajtur nën kontroll kërcënimin viral. Kjo fillon me mrekullinë e vaksinimit, e cila mbron kundër një sulmi patogjen që para se ai të fillojë. Falë vaksinave, lija nuk është më kërcënim, pasi mori rreth 300 milionë jetë në shekullin XX. E njëjta gjë do të ndodhë me siguri një ditë me poliomelitin. Hulumtimet e reja të nxitura nga pandemia e Covid-19 do të rrisin fuqinë për të studiuar sferën virale dhe për të arritur përgjigjet më të mira që mund të japë trupi ndaj këtyre organizmave – duke e çuar mbrojtjen kundër viruseve në një nivel të ri.

Një rrugë tjetër për përparim qëndron në mjetet për manipulimin e organizmave, që do të përsosen nga të kuptuarit e viruseve dhe mbrojtjet kundër tyre. Versionet e hershme të inxhinierisë gjenetike mbështeteshin në enzimat kufizuese – gërshërë molekulare me të cilat bakteret presin gjenet virale dhe të cilat bioteknologët i përdorin për të manovruar gjenet. Falë zhvillimeve më të fundit të bioteknologjisë, modifikimit të imtësishëm të gjeneve, i cili njihet si CRISPR, mekanizmat antiviralë janë tashmë më të saktë.

Nga fillimet më të vogla

Bota natyrore nuk është e butë. Një ekzistencë pa viruse është aq e paarritshme sa që një dëshirë e tillë do të ishte e pakuptimtë. Sidoqoftë, larmia e mrekullueshme e jetës mbështetet në viruse, të cilat janë njëkohësisht burim vdekjeje, si dhe një burim i pasurisë dhe ndryshimit. Gjithashtu, është e mrekullueshme perspektiva e një bote ku viruset do të kuptohen me themel nga njerëzit dhe si pasojë do të vrasin sa më pak njerëz.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet