Basha i përgjigjet Ramës: Vepra dhe jo fjalë për mjekët dhe infermierët, do u rrisim pagat deri në 1200 euro

Politikë
Basha i përgjigjet Ramës: Vepra dhe jo fjalë për mjekët

Premtim elektoral e ka quajtur kryedemokrati Lulzim Basha deklaratën e kryeministrit Edi Rama se do të rrisë pagat për mjekët dhe infermierët, teksa e cilëson si mosmirënjohës për punën e bërë nga bluzat e bardha, veçanërisht gjatë kohës së pandemisë.

Ai thotë, se PD ka një plan konkret, jo vetëm fjalë, duke u premtuar se me ardhjen e tij në qeveri mjekët do të paguhen 1200 euro ndërsa infermierët 700 euro. Këto para, Basha thotë se do t'i marrë nga anulimi i tenderëve korruptiv të qeverisë aktuale.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

"Mjekët dhe infermierët tanë kanë nevojë për mbështetje dhe mbrojtje të veçantë nga shteti për shërbimin kolosal që i kanë bërë vendit, në veçanti në këto kohë pandemie. Rritja e pagave të tyre është jetike por ajo duhet të jetë reale dhe jo elektorale. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për ti trajtuar me dinjitet personelin shëndetësor. Por kjo është e pamundur sa kohë që kemi një qeveri që i çon paratë e taksave të shqiptarëve tek koncesionet korruptive, dhe shpenzimet për shëndetin publik janë më të ulëtat në rajon.

Ne do ti anullojmë koncesionet korruptive dhe paratë do të përdoren për mbështetje reale për mjekët dhe infermierët, me rritje pagash, me pajisje dhe kushte më të mira për tju shërbyer qytetarëve. Me planin tonë ne do të mundësojmë ndryshimin e madh në shëndetësi me paga dinjitoze të niveleve rajonale për ta: 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët. Kjo qeveri është treguar mosmirënjohëse me mjekët dhe infermierët edhe gjatë pandemisë. Pa asnjë vonesë tjetër, qeveria Rama duhet t’u japë atyre shpërblimin e premtuar prej 1000 euro. Stafet mjekësore janë profesioni më jetik i vendit. Atyre ju detyrohemi vepra dhe jo premtime te pambajtuara", shkruan Basha.

Kjo deklaratë vjen si përgjigje ndaj asaj që tha dje kryeministri Edi Rama se nga viti 2021 do të rriten pagat për mjekët e infermierët në një masë të konsiderueshme, por pa e specifikuar konkretisht.

ME TE LEXUARAT