Kosovë/ Prindërit kërkojnë kthimin e nxënësve në shkolla, MASH ende pa vendim

Kosovë&Rajon
Kosovë/ Prindërit kërkojnë kthimin e nxënësve

Kur kanë mbetur edhe një javë për fillimin e vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ende nuk ka vendosur se si do të mbahet procesi mësimor.

Kjo ministri ka ofruar tre skenar për organizimin e mësimit, ku drejtoritë e Arsimit në komunat e Kosovës, po edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës po kërkojnë që nxënësit të fillojnë mësimin në objektet shkollore, duke e përjashtuar tërësisht mundësinë e fillimit të mësimit në distancë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Besim Avdimetaj, kryesuesi i drejtorëve komunalë të Arsimit, njëherësh drejtor i Arsimit në Komunën e Pejës, thotë se të gjitha komunat po përkrahin dy skenarët e para, ndërsa kundërshtojnë mbajtjen e mësimit online.

Ai thotë se të gjitha komunat janë të përgatitura teknikisht për të filluar vitin e ri shkollor ku do të respektohet distanca sipas rekomandimeve të IKSHPK-së.

“Të gjithë janë të përgatitur teknikisht ku shkollat janë të përgatitura për të filluar vitin e ri shkollor. Opsioni i tretë është ai opsioni që nuk e dëshirojnë komunat, do të thotë opsionin e mësimit online, këto dy opsionet tjera varësisht nga kapacitetet dhe numri i nxënësve nëpër shkolla janë të mundshme…Gjendja teknike e shkollave është në rregull, ku respektohet distanca. Nëse nuk ka ndonjë vendim për shkak të pandemisë besojmë se do të fillojmë, përndryshe nëse ndryshon gjendja shëndetësore sigurisht që nënkuptohet që mësim nuk ka me pas”, thotë ai.

Versionet që përfshijnë kthimin në objektet shkollore janë më të përshtatshme për Komunën e Suharekës. Drejtori i Arsimit në këtë Komunë, Remzi Bajselmani, deklaron se vetëm në dy shkolla të qytetit është problematike për shkak të numrit të madh të nxënësve, ndërsa në shkollat tjera nuk do ta kenë problem sa i përket sigurimit të distancës.

Bajselmani: Jemi duke bërë përgatitje që gjithqysh të kthehemi në shkolla

“Jemi duke bërë përgatitje që gjithqysh të kthehemi në shkolla, sepse është kërkesë e gjitha palëve, prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve që procesi të fillojë normalisht në shkolla. Për këtë qëllim Ministria e Arsimit ka përgatitur tri opsione me të cilin ne jemi takuar… dhe kemi marrë këto opsionet e mundshme. Ne si Komunë plotësojmë disa kritere shumë të mira sepse kemi objektet që kanë hapësirë të mjaftueshme dhe mund të fillojmë me planin A, se plani A parasheh kthimin normal në shkolla. Ndërsa plani B është që të kthehemi një pjesë në shkollë dhe një pjesë në mësimin në distancë. E më i keqi plan është plani C, që të zhvillohet mësimi krejt në distancë”, thotë ai.

Edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Islam Shabani, potencon se janë kundër mbajtjes së mësimit në distancë, por përkrahin fillimin e mësimit në objektet shkollore.

Shabani thotë se për këtë komunë më i përshtatshëm është skenari B.

Shabani: Më të përshtatshme kish me qenë varianti B tek ne

“Më të përshtatshme kish me qenë varianti B tek ne, për shkak se është metodë e kombinuar. Varianti A është pak më i rëndë për neve sepse kërkon prani fizike të nxënësve në shkolla, që ne realisht e kemi pak vështirë ta realizojmë në shkollat e qytetit, për shkak të numrit të madh të nxënësve. Kështu që të shohim, ne po punojmë në këtë aspekt dhe brenda javës do ta caktojmë dhe do ta definojmë çfarë varianti po shkojmë”, thotë ai.

Në anën tjetër, drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit, Nazmi Gagica, thotë se përkundër që kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor presin një vendim të unifikuar nga Qeveria e vendit për të gjitha Komunat.

Gagica: Ne presim një vendim të Qeverisë për një vendim unik për të gjitha Komunat

Ne presim një vendim të Qeverisë për një vendim unik për të gjitha Komunat. Pra, ne jemi për një vendim unik jo të krijohet laramani në nivel të përgjithshëm…Bazuar në analiza, bazuar në hulumtimet që kemi bërë në kohë pandemie neve kemi parë rreziqet dhe defektet, pra ne konsiderojmë që klasa e parë, e dytë dhe e tretë, gjithashtu kalimi i nivelit klasa e gjashtë dhe klasa e 10 konsiderohen si probleme, sepse ne këto mendojmë që duhet të intervenohet. Por, sidoqoftë ne prapë presim një vendim të unifikuar në nivel të Republikës së Kosovës”, thotë Gagica.

Kthimin e tërësishëm në objektet shkollore për nxënësit po e kërkon Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Kryetari i këtij Këshilli, Ymret Reshiti, thotë se nuk përkrahin mësimin në distancë.

Reshiti: Përkrahim mësimi në kushtet normale në shkolla

“Më i përshtatshëm dhe më e pranueshme për neve dhe për nxënësit që kërkojnë është versioni i parë i planit të ministrisë për fillimin e mësimit, pra mësimi në kushtet normale në shkolla, nxënësit të kthehen në shkolla… Kundërshtimi jonë lidhet drejtpërdrejtë në përvojën e kaluar të organizimit të mësimit në distancë për gjysëmvjetorin e dytë, do të thotë vetëm në këtë kontekst ne kemi reaguar për shkak që vlerësimet dhe konstatimet e gjithanshme nga OJQ-të, nga ata që kanë bërë anketime dhe nga prindërit është se mësimi nga distanca objektivat ose pritshmëritë nuk i ka realizuar mjaftueshëm”, deklaroi ai.

Vendimin se si do të fillojë viti i ri shkollor, ministri i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj, në mbledhjen e Qeverisë ditën e premte tha se do ta marrin në mbledhjen e radhës.

Likaj: Këtë master plan ju prezantojmë mbledhjen e ardhshme dhe kërkojmë miratimin e juve

“Ata kanë shprehur dëshirën viti i ri shkollor me fillua në objektet shkollore sipas skenarëve të cilët ne i kemi përgatitur. Këtë mastër plan ju prezantojmë mbledhjen e ardhshme dhe kërkojmë miratimin e juve”, tha ai.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paraparë fillimin e vitit të ri shkollor sipas tre skenarëve, ku skenari A përfshin mësimin me prezencë në institucionet shkollore me masat parandaluese, skenari B nënkupton rikthimin e pjesshëm me mësim të kombinuar-prezencë dhe mësim në distancë dhe skenari C mësimi në distancë.

ME TE LEXUARAT