Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Meta vlerëson me ”Dekoratën e Flamurit Kombëtar” tre vëllezërit Frashëri: Vepra e tyre na udhëheq drejt integrimit europian

Presidenti Meta gjatë vizitës së tij në Frashër të Përmet ka vlerësuar me ”Dekoratën e Flamurit Kombëtar” 3 vëllezërit Frashëri Naimin, Abdylin dhe Samiun.

Meta thotë se fatkeqësisht asnjë prej tyre nuk mori pjesë në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, por ata punuan shumë për të si përfaqësuesit më të spikatur të Rilindjes Kombëtare.

Ai shtoi se s’ka provë më të qartë se vepra e tyre udhëheq Shqipërinë drejt integrimit europian. Kujtojmë se ”Dekorata e Flamurit Kombëtar” është vlerësimi më i lartë nga Presidenca. Disa ditë më parë Meta ia dha atë ish- Presidentit Rexhep Meidani.

NJOFTIMI NGA PRESIEDENCA:

Presidenti Meta vlerëson me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”vëllezërit e shquar të Rilindjes Kombëtare, Naim, Abdyl dhe Sami Frashëri: Aktualiteti i veprës së tyre na udhëheq drejt integrimit europian

21 gusht 2020

Frashër, Përmet

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë pune në Frashër të Përmetit, për të vlerësuar dhe nderuar me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën në Republikën e Shqipërisë, tre atdhetarët e mëdhenj të kombit shqiptar, vëllezërit Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri, për kontributin e pazëvendësueshëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe rilindjes kulturore e letrare, në shërbim të mbrojtjes së territoreve shqiptare dhe luftës për Pavarësinë e Shqipërisë.

I shoqëruar nga Kryetarja e Bashkisë së Përmetit, znj.Alma Hoxha, autoritetet vendore, përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare dhe forcave politike në vendin tonë, studiues, historianë, intelektualë dhe banorë të shumtë, Presidenti Meta fillimisht vendosi kurora me lule në bustet e tre vëllezërve Frashëri dhe u përul me nderim e respekt të thellë para jetës e veprës së tyre.

Më pas, Kreu i Shtetit vizitoi shtëpinë muze të vëllezërve Frashëri, monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore,ku ndodhen një sërë dokumentesh që pasqyrojnëhistorikun e zonës dhe veprimtarinë e ndritur të tre rilindasve të shquar.

Gjithashtu, Presidenti Meta vizitoi edhe Teqenë e Frashërit, një fortesë e nacionalizmit shqiptar, me shumë ndikim tek vëllezërit Frashëri , ku u prit nga Baba Hekuran Nikollari.

Nëceremoninë solemne të organizuar me këtë rast para busteve të tre vëllezërve Frashëri, Kreu i Shtetit i akordoi Abdyl Frashërit (pas vdekjes) “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin: “Si një ndër adhetarët më të shquar në luftën për shpëtimin e trojeve shqiptare, bashkimin e popullit dhe çlirimin kombëtar të shqiptarëve. Si ideolog i spikatur i Rilindjes Kombëtare, një ndër organizatorët kryesorë dhe përfaqësues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, burrë shteti me vizion, politikan, diplomat e personalitet me merita të jashtëzakonshme, i cili nuk kurseu asgjë për lirinë dhe lartësimin e kombit shqiptar”.

Ndërsa Naim Frashërit (pas vdekjes), Kreu i Shtetit i akordoi të njëjtën dekoratë, me motivacionin: “Për kontributin e pazëvendësueshëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe të rilindjes kulturore e letrare, në shërbim të luftës për Pavarësinë e Shqipërisë. Si poeti kombëtar, mendimtari dhe atdhetari i shquar i Rilindjes Kombëtare. Misionari, mësuesi dhe krijuesi talentuar, i cili i këndoi me përkushtim dhe i bëri jehonë atdhedashurisë, historisë, gjuhës, kulturës, identitetit dhe lirisë së shqiptarit. Frymëzuesi i madh i krenarisë, dinjitetit dhe vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, si dhe orakulli i pashtershëm i lirisë së tyre”.

“Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, Presidenti Meta ja akordoi Sami Frashërit (pas vdekjes) me motivacionin:“Si ideologu i Rilindjes Kombëtare. Atdhetar, dijetar i madh enciklopedist, gjuhëtar, shkrimtar, publicist, përkthyes i shquar, nxitës i vlerave të dijes, shkollimit, emancipimit dhe kurajës qytetare të bashkatdhetarëve.

Si vigani i mendimit filozofik, që u ofroi shqiptarëve programin dhe modelin e shtetit të tyre perëndimor. Në vitet më të vështira të kombit ai ofroi vizionin perëndimor, si dhe strategjinë për Pavarësinë, shtetformimin dhe përparimin afatgjatë të Shqipërisë”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit u shpreh:

Është një lumturi e veçantë të jem sot me ju në Frashër, në këtë vend të shenjtë për kombin shqiptar, në djepin që përkundi me dije dhe atdhedashuri, Frashërllinjtë e mëdhenj, Abdyl, Naim e Sami, në vendlindjes së tyre që vezullon dritë kombëtare patriotike dhe qytetare në çdo kohë.

Kemi ardhur sot të përulemi përsëri përpara tyre, simboleve më të përkryera të Rilindjes tonë Kombëtare.

Rrallë mund të takosh në historinë një kombi, tre vëllezër, që t’i kenë shërbyer të njëjtit ideal – çështjes së çlirimit kombëtar të Atdheut të tyre, jo vetëm nga zgjedha shekullore e huaj, por edhe nga prapambetja shoqërore, nga dogmatizmi ideologjik dhe nga vargonjtë që e pengonin të ecte drejt përparimit dhe qytetërimit europian.

Përulemi sot përpara Abdyl Frashërit – ideologut dhe veprimtarit politik, Naim Frashërit – poetit lirik dhe epik, Sami Frashërit – filozofit, ideologut të kulturës dhe vizionarit të së ardhmes.

Veprimtaria, shkrimet dhe pikëpamjet e tyre të mbledhura bashkërisht, zbulojnë dhe plotësojnë pothuajse të gjithë historinë e vërtetë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, gjerësinë dhe thellësinë e saj revolucionare, patriotike, demokratike dhe iluministe.

Secili prej tyre diti të shkrijë në fushën e vet të punës dhe të betejës dhe të tre sëbashku në një front të përbashkët, tri detyrat themelore që shtroheshin para vendit: shpëtimin e Atdheut nga copëtimi territorial, bashkimin e viseve shqiptare dhe lëvrimin e kulturës patriotike në shërbim të luftës së çlirimit kombëtar.

Të dashur miq,

Abdyl Frashëri hyri në skenën e historisë pikërisht kur Atdheu kishte nevojë më tepër se kurdoherë për mendje të ndritura patriotike dhe të guximshme.

Pjekuria intelektuale, trimëria dhe vendosmëria me të cilat ai qe i paisur, e vunë në vitin 1877 në krye të Komitetit Kombëtar të Janinës i cili mori përsipër mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare.

Emri i Abdylit është i lidhur politikisht dhe organizativisht, sidomos me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si rrall ndonjë emër tjetër.

Si ideolog ai dha ndihmesën e vet në përpunimin e platformës politike, që e udhëhoqi Lidhjen në luftën kundër politikës shoviniste të fqinjëve, kundër mospërfilljes të Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare dhe kundër qëndrimit reaksionar të Perandorisë Osmane.

Si organizator ai u shqua në punën e madhe që zhvilloi Lidhja e Prizrenit për bashkimin e mbarë popullit shqiptar në frontin e vetëm kombëtar.

Si aktivist Abdyli i ra me këmbë tërthor Shqipërisë, më tepër se kushdo tjetër, tej e mbanë që nga Preveza deri në Mitrovicë, që nga Durrësi deri në Manastir.

Si diplomat, ai e përfaqësoi denjësisht lëvizjen shqiptare në arenën ndërkombëtare, mbrojti me dinjitet interesat e Atdheut përpara kancelarive të mëdha, parashtroi me kurajë në oborrin e sulltanit kërkesën për autonominë e Shqipërisë dhe me qartësi shtjelloi para opinionit botëror zgjidhjen optimale të krizës lindore, nga lëmshi ku e kishin ngërthyer çështjen shqiptare, Traktati i Shën Stefanit dhe Traktati i Berlinit.

Të dashur miq e të ftuar,

Naim Frashëri, vëllai i mesëm i Tre Pishtarëve të Rilindjes, zgjodhi Penën si armë për të shtrirë të gjithë luftën e tij patriotike, ndërsa Letërsia dhe Shkolla – u bënë fusha e përditshme e betejës së tij.

Vargjet themelueseqë botoi më 1884 u bënë për dhjetëra vjet me radhë ushqim patriotik për mijëra e mijëra të mitur e të rritur – vargje të shkruara në Gjuhën Shqipe, që identifikon dhe përbashkon kombin shqiptar.

Nga pena e Naimit doli më 1886 “Bagëti dhe Bujqësia”, e para poemë letrare shqipe që ngjallte tek bashkatdhetarët e vet vërtetësinë e prejardhjes së tyre gjuhësore kombëtare dhe krenarinë nacionale.

Ai i dha më 1887 të parës shkollë kombëtare tekste mësimore shqipe. Naimi botoi shqip të parin tekst mbi historinë e Shqipërisë dhe të parën epope kushtuar Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut.

Ai i ngriti hymn Atdheut dhe lirisë, gjuhës dhe shkollës, diturisë dhe përparimit. Ai pati për moto fjalët e thurrura në vargje:

“Se drita e diturisë – përpara do na shpjerë – përpara drejt lirisë”.

Për vjershat e tij të zjarrta patriotike dhe me gjuhën e tij të ëmbël u quajt “bilbili i gjuhës shqipe” dhe u njoh si “poeti kombëtar” i Rilindjes Shqiptare.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në luftën kundër shtypjes shekullore osmane dhe obskurantizmit tradicional ottoman, Sami Frashëri zgjodhi dhe përdori me aftësi mjeshtërore, në rradhë të parë – fuqinë e mprehtë të Diturisë, pa e shkëputur atë nga trualli i politikës – duke qëndruar kështu si aliazh i veprës kombëtare të dy vëllezërve të tij më të rritur,

Megjithëse ai i dha botës kulturore turke nga 40 vepra shkencore, shoqërore dhe letrare, portretin historik të vërtetë të Samiut e vulosin në radhë të parë shkrimet e tij në shërbim të lëvizjes kombëtare dhe arsimit shqiptar .

Mbi të gjitha, më 1899 nxorri kryeveprën e tij – traktatin politik i botuar me titull “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”që është konsideruar me të drejtë si manifesti programatik më revolucionar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe përcaktues për orientimin europian të vendit.

Fatkeqësisht asnjëri prej tyre nuk arriti të merrte pjesë në ditën e madhe të shpalljes të Pavarasisë së Shqipërisë.

Por siç e ka thënë me gojën e vet Abdyl Frashëri , se me veprimtarinë e tyre ata i ngjajnë punës së një bujku, i cili në vjeshtë hedh farën dhe frutet i gëzon më vonë në pranverë.

Nuk ka dyshim se Pavarësia, e cila u shpall më 28 nëntor 1912 në Vlorë, është frut i punës së plejadës së rilindësve shqiptarë, tre ndër më të shquarit kanë qenë pa dyshim Abdyli, Naimi dhe Sami Frashëri.

Nuk ka provë më bindëse, se sa aktualiteti i veprës së Abdylit, Naimit dhe Sami Frashërit në rrugën që kanë shqiptarët për të bërë drejt integrimit europian.

Lavdi për jetë Abdylit, Naimit e Sami Frashërit!

Rroftë Frashëri që i lindi dhe përkundi me dije e atdhedashuri dhe populli i Përmetit.

Rroftë Shqipëria!

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet