Përplasjet Turqi-Greqi, luftanija amerikane arrin në Kretë

Bota
Përplasjet Turqi-Greqi, luftanija amerikane arrin në Kretë

Luftanija amerikane “USS Hershel Woody Williams” ka mbërritur në ishullin grek të Kretës, me misionin për të vëzhguar tensionet e përshkallëzuara midis aleatëve të NATO-s Greqisë dhe Turqisë mbi të drejtat e shfrytëzimit të burimeve energjetike në Mesdheun lindor.

Anija amerikane u bashkohet forcave detare të Bashkimit Evropian dhe Rusisë, duke ngritur shqetësimet në Greqi mbi pasojat që mund të sjellë kjo rritje e pranisë ushtarake.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ekspertët ushtarakë e përshkruajnë luftanijen “USS Hershel Woody Williams” si një bazë ushtarake lundruese, e dyta e një brezi të ri të anijeve masive që Marina amerikane tani po i përdor si qendra transporti dhe mbështetjeje të shpejtë për operacionet ushtarake.

Anija me gjatësi 230 metra, me madhësinë e disa rrokaqiejve, ishte më herët në Napoli të Italisë, për një ndalesë logjistike rutinë para se të dërgohej në Kretë, ku është në gjendje gatishmërie, pasi Greqia dhe Turqia janë në një ngërç diplomatik dhe ushtarak mbi një zonë detare.

Anije luftarake greke dhe turke janë dislokuar në rajon që kur Presidenti Recep Tajip Erdogan urdhëroi dërgimin e një anijeje kërkimore në Mesdheun lindor për të studiuar burimet e gazit dhe naftës.

Greqia thotë se shtrati i detit në brigjet e Kretës dhe ishujt e tjerë të rajonit janë territor i saj dhe se Athina ka të drejtë ta shfrytëzojë atë, një pretendim që Turqia e ka hedhur poshtë vazhdimisht, duke thënë se ishujt nuk kanë të drejtë të përdorin atë që njihet si një zonë ekskluzive ekonomike.

Zyrtarët amerikanë nuk kanë dhënë hollësi mbi urdhrat që ka marrë luftanija “Hershel Woody Williams” ose sa kohë ajo do të qëndroj atje.

Por prania e saj pason dërgimin nga Franca javën e kaluar të disa anijeve luftarake në Mesdheun lindor, një veprim që tërhoqi shpejt vëmendjen e Moskës. Marina ruse më pas dërgoi anijet e saj luftarake.

ME TE LEXUARAT