Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Ngrihet Qendra Ndërinstitucionale e Sistemeve të Sigurisë në Portin e Durrësit, Balluku: Rriten parametrat e sigurisë

Në Portin e Durrësit është drejt finalizimit ngritja e sallës së re Operacionale Ndërinstitucionale e Monitorimit dhe Komandimit të Sistemeve të Sigurisë. Kjo Qendër e re do të shërbejë për mbikëqyrjen e hapësirave portuale, regjimin e hyrje-daljeve dhe rritjen e parametrave të sigurisë.

Pjesë e saj do të jenë punonjës të Forcës së Sigurisë Portuale, Policisë së Kufirit, Doganës dhe Kapitenerisë, me qëllim bashkërendimin e punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vëngu, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë Detare, Paulin Ndreu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj, si dhe përfaqësues nga Dogana, inspektuan ambientet e kësaj salle.

Drejtori Pirro Vëngu bëri të ditur se është drejt përfundimit puna për plotësimin e kësaj salle dhe së shpejti do të konkretizohet edhe marrëveshja ndërinstitucionale për menaxhimin e përbashkët të sallës me Policinë dhe Doganën.

“Është një sallë e cila integron të gjitha sistemet e sigurisë që disponojmë aktualisht dhe që janë ndërtuar ndër vite. Kemi kamera të reja inteligjente. Në vijim do kemi dhe sisteme alertimi të cilat po testohen aktualisht dhe po kalibrohen për çdo lëvizje, qofshin këmbësorësh, qofshin edhe mjete lundruese. Pra kemi një monitorim edhe të basenit edhe të aspekteve të terminaleve në tokë. Kemi ndërtuar edhe një sistem të ri përsa i përket regjimit të hyrje-daljeve. Deri më sot nuk kishim një pamje të qartë të fluksit të operatorëve portual, të pasagjerëve dhe të gjithë njerëzve që vijnë dhe punojnë dhe operojnë çdo ditë në port. Tani e kemi një sistem të tillë dhe mbi këtë sistem mund të marrim dhe vendime administrative apo menaxheriale që lidhen me shërbimet që ofrojmë”, sqaroi drejtori i Autoritetit Portual Durrës.

Për Drejtorin e Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj, ngritja e kësaj salle “ishte shumë e nevojshme pasi shkëmbimi i informacionit mes agjencive ligjzbatuese në këtë moment është ai që ne na duhet më shumë. Kjo do jetë rruga më e shkurtër, për të shkëmbyer informacion apo për t’a marrë atë në kohë rekord”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e vuri theksin tek rëndësia e ngritjes së qendrave të tilla, ku janë të integruara mes tyre disa agjenci, duke rritur në këtë mënyrë monitorimin në zona të rëndësisë së veçantë, për të vepruar menjëherë ndaj çdo paligjshmërie që mund të konstatohet.

“Qendrat e integruara janë shumë të rëndësishme për ne. Ne po punojmë njëkohësisht edhe me Autoritetin Rrugor dhe Drejtorinë e Transportit si dhe Policinë e Shtetit për të krijuar një qendër të monitorimit të trafikut rrugor, që është shumë e nevojshme. E kanë të gjitha vendet e përparuara dhe Shqipëria në aspiratën e saj për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, duhet t’i plotësojë këto kushte. Porti i Durrësit po bëhet një shembull i mirë, duke pasur të gjithë kontrollin e territorit edhe me shpresë të realizojmë edhe planin tonë të madh për kontrollin detar me anë të radarëve dhe për të pasur një menaxhim të trafikut detar ashtu siç bëjmë me atë ajror, pra sipas parametrave dhe të gjitha kërkesave”, u shpreh Balluku.

Ministrja shtoi më tej se falë edhe teknologjisë që do të aplikohet në këtë sallë, të gjitha agjencitë, të cilat kanë si detyrë ofrimin e sigurisë në port do të kenë mundësi të veprojnë në një kohë më të shpejtë dhe në koordinim të ngushtë mes tyre.

“Fakti që ju do të jeni të gjithë në të njëjtën qendër, të gjithë komponentët, që janë pjesë e ofrimit të sigurisë në port, duke filluar nga Autoriteti Portual, Policia Kufitare dhe Dogana, do jetë shumë më e lehtë që të procesohen të gjitha të dhënat, për më tepër, duke përdorur teknologjinë më moderne do keni mundësi, që t’i ruani dhe t’i referoheni çdo herë sipas rasteve dhe nevojës që do keni”, nënvizoi ministrja Belinda Balluku.

Në këtë qendër do të integrohen pajisjet ekzistuese të vëzhgimit dhe sigurisë, do të shtohet numri i kamerave të reja inteligjente me alertime automatike, si dhe servera me kapacitet disa fish më të madh për ruajtjen dhe administrimin e pamjeve dhe të dhënave për një kohë të gjatë, duke i mundësuar organeve hetimore akses të shpejtë dhe të plotë në çdo moment.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet