Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

PD i sulet Ramës: Në 30 vite kjo është situata më e vështirë ekonomike që Shqipëria ka kaluar

Ish deputeti i PD-së, Eno Bozdo deklaron se qeveria i ka braktisur qytetarët dhe ka sjellë një krizë të thellë ekonomike në vend.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Bozdo shkruan se qeveria ka shpenzuar vetëm 100 milionë dollarë për biznesin, ndërkohë që vetëm 6 muajt e fundit ka marrë borxh afërsisht 1.1 miliardë euro.

Postimi i plotë:

Qeveria ka braktisur shqiptarët dhe ekonominë, pasi “ia ka dalë” të asfiksojë biznesin për vite të tëra!

Sipas një sondazhi të fundit të realizuar me dy shoqata të rëndesishme të biznesit në vend, 92% e bizneseve në Shqipëri mendojnë se pasojat e pandemisë do te zgjasin sëpaku nga 6 muaj deri në më shumë se një vit. Me pak fjalë, ekonomia do të përballet me vështirësi të thella minimalisht deri në fund të vitit 2021.

Përballë kësaj pritshmërie tejet pesimiste, qeveria shqiptare ka shpenzuar, sipas vetë të dhënave zyrtare të saj, vetëm 100 milionë usd ndihme reale për biznesin. Kështu, ndihma reale ndaj sektorëve prodhues, atij të turizmit, agrobujqësor dhe eksporteve, është pothuajse zero. Ndërkaq, borxhi i marrë prej qeverisë për të përballuar pandeminë, vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit arrin në afërsisht 1,1 miliardë euro. Në klimën e një transparence zero të kaosit qeveritar, askush nuk e di për çfarë do të përdoret ky borxh i ri publik, veçanërisht tani që borxhi total publik ka kaluar edhe limitin e papërballueshëm të shifrës 90%.

100 milionë euro përfaqësojnë ndihmën më të ulët të dhënë ndonjëherë për ekonominë, nga të gjitha qeveritë e vendeve që po vuajnë pasojat e pandemisë. Sikur të mos mjaftonte fakti që qeveria e ka braktisur biznesin në fatin e tij, (ashtu siç edhe ka braktisur edhe menaxhimin e pandemisë), qeveria Rama shënon përsëri një rekord tjetër negativ:

Në tre vitet e fundit, në harkun kohor 2018-2020, të gjitha raportet ndërkombëtare dhe vendase mbi gjëndjen e ekonomisë dhe klimën e biznesit në vend janë thellësisht negative dhe me prirje për tu përkeqësuar edhe më tej. Raporti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, i Dhomës Gjermane, i Dhomës Italiane, “Doing Bussines” i Bankës Botërore, “Economic Freedom” i Heritage Foundation, raportet e Bankës së Shqipërisë, raportet periodike të FMN, raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, etj, i mëshojnë faktit se jo vetëm që investimet e huaja kanë shterruar, por edhe se Shqipëria vuan nga taksat e larta dhe korrupsioni i thellë, politizimi i skajshëm dhe mungesa e profesionalizmit të administratës publike, si dhe braktisja e vendit nga fuqia punëtore e kualifikuar. Në Shqipëri sot është e pamundur të bësh biznes!

Në tridhjetë vitet e fundit kjo është situata më e veshtirë sociale dhe ekonomike që Shqipëria ka kaluar ndonjëherë. Vendi po përballet njëkohësisht me pandeminë, krizën ekonomike, me varfërinë që është bërë mbizotëruese në më shumë se 35% të familjeve shqiptare, me pasigurinë për vendin e punës, për të ardhmen e familjeve, dhe mbi të gjitha me faktin që në këtë depresion të madh social dhe ekonomik, qeveria është zhdukur si kripa në ujë.

Faji dhe përgjegjësia për këtë situatë ka vetëm një emër: Rama dhe qeveria e tij. Asnjë manovër për “gjoja” mbështetje të biznesit nuk mund të ndryshojë situatën katastrofike, përsa kohë Rama ende qeveris dhe ministrat e tij janë ende përgjegjës për fatet e vendit.

Edhe skeptikët më të mëdhenj sot janë bindur se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të dalë nga kjo krizë e thellë shumëdimesionale, veçse alternativës së programit ekonomik të Partisë Demokratike. Ulja drastike e taksave, përmirësimi thelbësor i klimës së biznesit, ripërtëritja e administratës publike me synim profesionalizmin dhe luftën kundër korrupsionit, reduktimi i thellë i burokracisë si instrument për të rritur konkurrueshmërinë ekonomike, lufta kundër monopoleve dhe zhbërja e PPP grabitqare, janë disa nga pikat kryesore të programit Basha për ekonominë.

Në të njëjtën kohë, paketat financiare të targetuara për sektorët e rëndësishëm të ekonomisë prodhuese do të injektohen me shpejtësi në mënyrë që ekonomia jonë të përballojë pa dëme pandeminë dhe të rindezë motorët për katërvjecarin që na pret, me fokus zhvillimin ekonomik dhe punësimin si prioritete absolute të qeverisë Basha!

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet