Largohen nesër, Meta takim falenderues me mjekët italianë!

Aktualitet
Largohen nesër, Meta takim falenderues me mjekët italianë!

*Presidenti Meta pret në takim ekipin e mjekëve dhe infermierëve të ardhur nga Italia për të trajnuar stafin mjekësor shqiptar në përballje me COVID-19*

*11 gusht 2020*

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta priti sot në një takim të përzemërt ekipin e mjekëve dhe infermierëve të ardhur nga Italia për të trajnuar strukturat tona shëndetësore me qëllim arritjen e rezultateve më efektive në luftën me pandeminë e rrezikshme COVID-19.

Presidenti Meta pasi u njoh me asistencën konkrete të ofruar prej tyre për stafet mjekësore të spitaleve COVID 1, COVID 2 dhe spitalin e Shkodrës, theksoi se shkëmbimi i eksperiencave dhe thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh kundër pandemisë, kësaj sfide të përbashkët, është mëse i domosdoshëm, me qëllim rikthimin sa më parë në normalitet.

Kreu i Shtetit e falenderoi me mirënjohje ekipin e mjekëve dhe infermierëve italianë për ndihmën tepër të vlefshme dhe bujare të ofruar në këto momente të vështira, dhe u shpreh se “shqiptarët nuk do t’i harrojnë kurrë sakrificat dhe këtë solidaritet vëllazëror, që e forcon edhe më shumë marrëdhënien e shkëlqyer midis dy vendeve e popujve tanë.”

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Sh.T.Z Fabrizio Bucci.

ME TE LEXUARAT