Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Basha ‘karikon’ PD: Gati strukturat, në shtator nisim fushatën

Fillimi i vjeshtës nuk të do të shënojë për Partinë Demokratike vetëm përmbylljen e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve, por edhe fillimin e fushatës për zgjedhje elektorale. Kryedemokrati Basha mblodhi këtë të hënë Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar. Ai bëri të ditur se do të finalizohet programi qeverisës dhe se në shtator do të nisë de fakto fushata elektorale, e cila sipas tij nuk do ndalojë deri në fitore.

“Krahas përzgjedhjes së kandidatëve ne do të finalizojmë programin qeverisës të vendit, do të ngremë strukturat drejtuese të fushatës elektorale dhe organizojmë partinë për zgjedhje, duke nisur nga qendra e votimit e deri tek selia qendrore në Tiranë. Në shtator nisim fushatën elektorale, e cila do të mbyllet me fitoren e zgjedhjeve dhe hapjen e nje kapitulli te qeverisjes për qytetarët dhe me qytetarët”, tha Basha.

Por ky fillim gushti shënon edhe një tjetër moment të rëndësishëm për demokratët. Kryesia e partisë demokratike do t’i besojë seleksionimin e kandidaturave Ish presidentit Bujar Nishani, Ish deputetëve të partisë demokratike Genc Ruli, Besnik Mustafaj e Mark Marku si dhe pedagoges së Universitetit të Tiranës Enriketa Papa.

“Emrat e propozuar nga anëtarësia përbëjnë një korpus të rëndësishëm për administrimin e qeverisjes që shqiptarët do t’i besojnë PD-së dhe aleatëve të saj në zgjedhjet e ardhshme. Përmes këtij procesi, ne kemi të identifikuar jo vetëm ata që do të përzgjidhen për kandidatë për deputetë, por edhe drejtues të qeverisjes vendore, këshillave bashkiakë dhe qeverisjes qendrore. Më të mirët e më të mirëve për të sjellë ndryshimin që presin shqiptarët, zhvillim dhe punësim”, tha Basha

Një tjetër vendim i rëndësishëm që do të duhet të marrë Partia Demokratike është edhe nëse do të shkojë në zgjedhje me një listë unike me aleatët, pas ndryshimeve kushtetuese të miratuara në fund të korrikut në parlament. E nëse ndodh kjo, selia blu do të duhet të përballet me pakënaqësitë e shkaktuara në radhët brenda saj, nga ata që aspirojnë ta përfaqësojnë këtë forcë politike në organet vendore e ato qendrore.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet