Mbushen spitalet në Kosovë, mbi 400 pacientë me COVID-19

Kosovë&Rajon
Mbushen spitalet në Kosovë, mbi 400 pacientë me COVID-19

Në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitale rajonale po trajtohen 448 pacientë, të konfirmuar me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Sipas një njoftimi të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, 217 pacientë të konfirmuar me koronavirus po trajtohen në klinikat e QKUK-së, ndërkaq 231 të tjerë në spitalet rajonale.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Numri më i madh i pacientëve me COVID-19 po trajtohen në Klinikën Infektive të QKUK-së, përkatësisht 104 pacientë.

Ndërkaq, sa i përket spitaleve rajonale, në spitalin e Prizrenit është numri më i madh i pacientëve me koronavirus, përkatësisht aty po trajtohen 59 pacientë.

Sipas një njoftimi të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, 20 pacientë janë vënë në respiratorë, 22 të tjerë po trajtohen me makinën për frymëmarrje të njohur me shkurtesën CPAP, ndërkaq 390 pacientë të tjerë po trajtohen me oksigjeno-terapi.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, deri më 2 gusht, në Kosovë janë regjistruar 8,799 raste me koronavirus. Prej tyre, 249 pacientë kanë vdekur dhe 4,863 janë shëruar.

ME TE LEXUARAT