‘Shpërndarje paniku’: Policia përndoqi gazetarët pas tërmetit dhe COVID-19

Aktualitet
‘Shpërndarje paniku’: Policia përndoqi gazetarët pas

Në orën 23:15 minuta të mbrëmjes së 28 nëntorit – dy ditë pas tërmetit shkatërrimtar që shkundi vendin, Policia e Shtetit trokiti në një banesë në zonën e Bathores në pronësinë e të afërmve të Xhuljana Aliajt –një e re nga Durrësi që punonte si vullnetare.

Sipas të dhënave që BIRN mori nga Prokuroria e Durrësit, oficerët e policisë së Kamzës zbarkuan në banesën ku strehohej 25-vjeçarja me të paktën 5 vetura dhe furgonë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Pasi u dërgua në rajonin e policisë, Xhuljana mësoi më vonë se ishte arrestuar me akuzën e përhapjes së panikut pas tërmetit, përmes llogarisë së saj në rrjetin social Facebook.

Sipas kërkesës së Prokurorisë së Durrësit, Aliaj akuzohej se kishte bërë që njerëzit të largoheshin nga zona e Porto-Romanos, pasi kishte frikë se ishte dëmtuar hidrovori për shkarkimin e ujërave të kënetës në det dhe mund të shpërthenin depozitat e gazit nëqoftëse binte sërish tërmet.

“Ky postim në total ka marrë 26 pëlqime në forma të ndryshme si “Like” apo “Dislike”,” thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Rasti i Xhuljana Aliajt nuk është i vetëm. Të dhënat e siguruara nga BIRN nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit si dhe gjatë muajve mars dhe prill të pandemisë së COVID-19, Policia e Shtetit, Drejtoria Antiterror dhe anëtarët e një komisioni parlamentar në Kuvend kallëzuan në organin e akuzës një duzinë qytetarësh – pjesa më e madhe e të cilëve gazetarë ose administratorë mediash online, të akuzuar për shpërndarje paniku nëpërmjet publikimit të ‘lajmeve të rreme’.

Edhe pse shumica e këtyre kallëzimeve janë arkivuar tashmë nga Prokuroria, aktivistët për lirinë e shprehjes dhe të drejtat e njeriut i konsiderojnë këto masa disproporcionale, ndërsa theksojnë se rrjedha e ngjarjeve sugjeron se autoritetet po i shfrytëzojnë situatat emergjente për të ndërmarrë veprime që bien ndesh me shtetin e së drejtës.

Panik pas tërmetit

Mëngjesin e 26 nëntorit, pak minuta përpara se ora të shënonte 4, Shqipëria e Mesme u godit nga një tërmet shkatërrimtar më forcë 6.3 ballë në shkallën Rihter, i cili shkaktoi 51 viktima, qindra të plagosur dhe la mijëra vetë të pastrehë.

Goditja fillestare e tërmetit u shoqërua me një valë të gjatë pasgoditjesh që krijuan një situatë paniku në zonat e prekura – në mënyrë te veçantë në qytetin e Durrësit.

Gjatë marrjes në pyetje nga Prokuroria në prani të avokatit, 25-vjeçarja Xhuljana Aliaj shpjegoi se ditën kur ka bërë postimin që do e çonte pas hekurave, ajo ka qenë duke punuar si vullnetare në njësinë administrative që mbulon zonën e Porto Romanos në Durrës për të regjistruar personat e mbetur të pastrehë nga tërmeti.

Nga kontaktet me zyrtarë vendorë dhe persona të prekur nga tërmeti, Aliaj ka dëgjuar se hidrovori i Porto Romanos është krisur. Ky informacion e ka shqetësuar vajzën, familja e së cilës jeton pranë hidrovorit dhe afër zonës së depozitave të naftës në Porto Romano.

“Shpeshhere ne jemi ndjerë të rrezikuar nga prania e tyre afër shtëpive tona,” i ka thënë Aliaj prokurorisë.

Me të dëgjuar informacion për krisjen e hidrovorit, Aliaj ka njoftuar familjen dhe nga frika janë zhvendosur tek të afërmit me banim në Kamëz.

Vullnetarja ka shpjeguar në Prokurori se banorët e Porto Romanos kanë kërkuar shpesh informacion nga autoritetet dhe në internet mbi gjendjen dhe rrezikun që mund të vijë nga depozitat e naftës. Aliaj ka shtuar që nëpërmjet statusit në Facebook – për shkak të të cilit është akuzuar për shpërndarje paniku, ka kërkuar që shteti të japë një përgjigje zyrtare për gjendjen e depozitave “pasi ndjehej e rrezikuar”.

“Nuk kam pasur si qëllim që të përhap panik tek të tjerët dhe që ato të ndihen të pasigurt,” ka deklaruar Aliaj. “Sqaroj se kisha qëllim pozitiv për të njoftuar që edhe persona të tjerë të marrin në konsiderate një rrezik të mundshëm nga këto objekte,” shtoi ajo në deklarim.

Sipas juristes për të drejtat e njeriut, Megi Reçi nga organizata ‘Civil Rights Defenders’, arrestimi në flagrancë i Xhuljana Aliajt nuk ka qenë proporcional me krimin që ajo akuzohej.

“Pavarësisht se nuk është dhënë dënim me burgim, impakti që ka shkaktuar në shoqëri ngjarja ka efekt intimidues dhe vetë-censurues,” tha Reçi për BIRN.

Sipas Reçit, referimet e policisë kundër gazetarëve dhe qytetarëve për shpërndaje paniku tregojnë standarde të dyfishta.

“Kur zyrtarë të lartë përdorin gjuhë urrejtje, fyerje, komente denigruese ndaj gazetarëve dhe aktivistëve, askush nuk mban përgjegjësi ligjore, ndërsa një qytetare arrestohet menjëherë për përhapje paniku nëpërmjet një statusi që ka marrë 26 pëlqime,” theksoi Reçi.

“Mbetet e diskutueshme se si është vlerësuar impakti madhor i një statusi të tillë, në një moment kur të gjithë qytetarët e Shqipërisë, në veçanti ata të Durrësit dhe Tiranës, ishin duke përjetuar panik të jashtëzakonshëm shkaktuar prej qindra tërmeteve që vijonin njëri pas tjetrit,” shtoi ajo.

“Janë kriminela”

Kryeministri, Edi Rama dhe ekspertë të huaj gjatë inspektimeve pas tërmetit të 26 nëntorit. Foto: LSA

Me anë të kërkesave për të drejtë informimi, BIRN mësoi se Policia e Shtetit referoi për ndjekje penale 5 gazetarë dhe 3 administratorë mediash online, për shkrime lidhur me tërmetet e shtatorit dhe dhjetorit 2019, që sipas saj kishin ngjallur panik si pasojë e shpërndarjes së informatave të rreme.

Njëri prej kallëzimeve, i referuar fillimisht në Prokurorinë e Përgjithshme lidhet me një denoncim të Drejtorisë së Antiterrorit, e cila duket se ka intensifikuar monitorimin e mediave dhe rrjeteve sociale pas tërmetit të 26 nëntorit. Sipas denoncimit, kjo drejtori ka konstatuar se më 2 dhjetor, gjatë një takimi të kryeministrit Edi Rama në zonën e Kënetës në qytetin e Durrësit, një banor ka sjellë një shembull të “keqinformimit nga ana e mediave”.

Në këtë takim të transmetuar “Live” nga ana e televizionit “News 24”, shtetasi Blerim Duro i ka shprehur shqetësimin kryeministrit se si pasojë e lajmit të dhënë pas tërmetit se Spitali i Durrësit ka marrë dëmtime e për pasojë rrezikon të shembet, ky shtetas ka marrë nga spitali babanë e shtruar në gjendje të rëndë për ta shpëtuar nga rreziku, por gjatë transportit me ambulancë drejt Beratit ai kishte ndërruar jetë.

“Janë kriminela, janë kriminela,” e ngushëlloi kryeministri Duron përmes një sulmi të ri për informacionet e mediave.

Me të ndjekur transmetimin “Live” të kryeministrit në ERTV, Antiterrori nisi brenda ditës një kallëzim penal ndaj televizionit informativ “News 24” duke e akuzuar atë për përhapje të informatave që ngjallin panik.

Pak javë më vonë, më 18 dhjetor 2019, teksa gazetarët protestonin jashtë Kuvendit kundër miratimit të paketës ligjore “Anti-shpifje”, kryeministri Rama solli si shembull episodin me shtetasin Blerim Duro për përhapje paniku nga mediat.

Më 26 nëntor ka vdekur një njeri i pafajshëm, ka humbur jetën një baba dhe janë plagosur dhjetëra njerëz, sepse dikush nga ata atje ka nxjerrë lajmin se spitali i Durrësit po shembet,” tha Rama.

Por sipas Prokurorisë, e cila ka vendosur mosfillimin e procedimit penal, nuk pasur shpërndarje paniku nga televizionit News 24, siç pretendon kryeministri. Madje, Prokuroria nënvizon se në kushtet e panikut të përgjithshëm të krijuar nga tërmeti dhe në situatën e paslëkundjeve, roli i te gjitha mediave ka qenë që të pasqyrojë situatën në terren.

Sipas organit të akuzës, nga ana e televizionit është kryer një transmetim “korrekt” i ngjarjeve dhe nuk ka pasur lajme të cilat mund të përhapnin panik.

Prokuroria thekson se paniku ishte i krijuar nga tërmeti i rëndë që goditi qytetin e Durrësit dhe njerëzit kishin dalë nga ambientet e banimit dhe shumë prej tyre ishin paraqitur në spitalin e Durrësit për të marrë ndihmë mjekësore.

“Nga të dhënat e marra edhe spitali i Durrësit, tek reparti i urgjencës, reparti i infektivit dhe një pjesë e kirurgjisë ishin dëmtuar nga tërmeti dhe një pjesë e tyre i janë nënshtruar rikonstruktimit më pas,” shprehet Prokuroria.

“Nga televizioni “News 24” nuk dallohen thirrje për panik por vetëm pasqyrim real i situatës së krijuar nga vetë njerëzit, të cilët të alarmuar dhe në panik lëviznin për të garantuar jetën e tyre,” shtoi prokuroria.

Hetimi i Prokurorisë ka zbuluar se shtetasi Blerim Duro – edhe pse nuk kishte parë fare lajme, e kishte nxjerrë “babanë e tij nga spitali për ta dërguar në një vend të sigurt.”

Prokuroria nënvizon se rrethanat e parashtruara në kallëzimin e Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit nuk përmbajnë “asnjë fakt” që të tregojë se televizioni “News 24” apo individë të caktuar një ditë pas tërmetit, nëpërmjet këtij informacioni, kanë destabilizuar rendin dhe sigurinë publike në vend.

“Gjithashtu, parë në pozitat që televizioni ndodhet dhe funksionet që kryen, nuk ka asnjë interes për të ngjallur gjendje pasigurie dhe paniku tek njerëzit,” shpjegon Prokuroria, ndërsa shton se “ai është i interesuar të pasqyrojë realitetin.

Sipas Koloreto Cukalit, drejtues i Këshillit Shqiptar të Media –një organ vetërregullues, veprimet e policisë së shtetit ngrenë këmbana alarmi.

“Kjo nuk duhet të jetë fare punë e Policisë së Shtetit,” tha ai. “Asnjë institucion shtetëror nuk mund të ketë filtra të besueshëm dhe të pavarur për të filtruar etikën e raportimit,” theksoi Cukali, ndërsa shtoi se “këtë mund ta bëjnë vetëm organe vetërregulluese.”

Kjo është hakmarrje

Pas tërmetit të 21 shtatorit 2019 me magnitudë 5.8 ballë, 5 gazetarë të medias online “Syri.net” u proceduan nga policia, pasi një ditë më pas botuan një lajm ku paralajmëronin lëkundje të reja ‘të fuqishme” sizmologjike, të cilat shkaktuan shqetësim mes banorëve të Tiranës.

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj ashpër ndaj postimit, duke e cilësuar si një ‘fakenews kriminal”.

Me 28 nëntor, Antiterrori dhe Krimi Kibernetik në Policinë e Shtetit procedoi penalisht Erland Dalliun dhe Gentian Çengelin, administratorët e medias online “Jeta Osh Qef” dhe i kërkoi ISP-ve të bllokonin faqen e saj në internet me akuzën se shpërndanin panik nëpërmjet lajmeve të rreme.

Më 11 dhjetor, Policia referoi në Prokurori administratorin e “Nova Media Albania”, i cili akuzohej se përhapi gjithashtu informacione mbi një tërmet që pritej të godiste vendin.

Prokuroria e Tiranës për këtë rast vendosi pezullimin e procedimit penal, por pak muaj më vonë, Nova Media Albania u referua përsëri në prokurori nga policia e shtetit për disa artikuj të shkruar rreth pandemisë së COVID-19.

Arian Asimi, përfaqësues in Nova Media Albania i tha BIRN se ky portal ishte një publikim online i komuniteti shqiptar në SHBA, i cili bazohej te kontribuuesit vullnetarë.

“Ne jemi një media që nuk kemi në fokus të bërit gazetari, por nxitjen e diskutimit publik përmes angazhimit vullnetar,” tha Asimi. “Ne nuk prodhojmë lajme, por i marrim tek të tjerë ose marrim artikuj nga intelektualët,” shtoi ai, duke nënvizuar se fokusi i tyre është tek “podcast”-i përmes platformave të lidhura me internetin.

Asimi i tha BIRN se nuk pasur dijeni për procedimin penal dhe as qëllim të shpërndante panik, ndërsa e lidhi referimin në Prokurori nga Policia e Shtetit me kritikat ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

“Procedimin e kanë bërë sepse ne jemi të hapur dhe shprehemi kundër qeverisë,” tha ai, ndërsa shtoi se “kjo është hakmarrje.”

Referimi kundër Nova Media Albania nuk ka qenë i vetmi gjatë periudhës së distancimit social gjatë pandemisë së COVID-19. Nga të dhënat që BIRN siguroi nga Prokuroria e Tiranës, në periudhën dy mujore përgjatë pandemisë janë referuar 5 raste, 4 nga Policia dhe 1 nga deputetët e një komisioni parlamentar.

Sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe organizatat në mbrojtje të lirisë së medias, referimet e Policisë së Shtetit për përhapje paniku synojnë të krijojnë një klimë frike rreth kritikëve të qeverisë.

“Media dhe shoqëria civile janë kritikët që kanë mbetur, praktikisht bastioni i fundit dhe po sulmohen aktivisht,” tha Megi Reçi nga “Civil Rights Defenders”.

Sipas Koloreto Cukalit, nuk ka një masë matëse se çfarë është përhapja e panikut dhe kjo hap shteg për abuzim nga qeveria.

“E gjithë kjo lë mundësi që targetimi për panik të jetë selektiv kundër një medie ose një gazetari ose një publikimi të caktuar,” tha Cukali, ndërsa shtoi se ky “mbetet një shqetësim i madh”./birn

ME TE LEXUARAT