Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Zëdhënësi i PPE kritikoi ndryshimet kushtetuese, Spiropali: Po flet si Basha, duhet të nxisësh konsensus

Ministrja për Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar fort në lidhje me deklaratën e zëdhënësit të Partive Popullore Europiane, Michael Gahler i cili kritikoi ndryshime kushtetuese të miratuara nga Kuvendi të bëra në mënyrë të njëanshme. Me një deklaratë të fortë, Spiropali shprehet se dikush duhet t’ia shpjegojë zëdhënësit të partive simotra të PD në Parlamentin Europian, se Parlamenti i Shqipërisë nuk është as i njëanshëm dhe as në varësi të ndonjë familjeje partiake në Bruksel. Spiropali shprehet se parlamenti shqiptar ka mazhorancë dhe opozitë, dhe se zëdhënësi i PPE, Gahler është duke folur në emër të opozitës që ka djegur mandatet.

“Dikush duhet t’ia shpjegojë zëdhënësit të partive simotra të PD në Parlamentin Europian, se Parlamenti i Shqipërisë nuk është as i njëanshëm, as në varësi të ndonjë familjeje partiake në Bruksel. Parlamenti ynë ka shumicë dhe opozitë, ndërsa opozita me gjuhën e së cilës flet zotëria i nderuar, ka “djegur mandatet” si asnjë parti tjetër në historinë e PPE! Ajo nuk ka as monopolin e opozitës shqiptare, as ndonjë të drejtë hyjnore mbi Parlamentin e mbi qeverinë e Shqipërisë. Me këtë rast e ftoj modestisht zotin Gahler të mos e fyejë në emër të Lulzim Bashës dhe si Lulzim Basha e partia e tij extra-parlamentare, as Parlamentin legjitim, as qeverinë e as opozitën parlamentare të Shqipërisë, e mbi të gjitha të mos e fyejë popullin shqiptar. I cili në shumicë dërrmuese kërkon hapjen e listave zgjedhore për të shprehur me votë preferencën jo vetëm për partinë, po edhe për kandidatët për deputetë”, shkruan Spiropali.

Spiropali shkruan ndër të tjera se zëdhënësi i PPE nuk duhet të flasë në gjuhën e Lulzim Bashës dhe se deklaratat e tij ushqejnë edhe më shumë përçarjen e madhe politike që ekzisto në Shqipëri. Sipas Spiropalit, zëdhënësi i PPE, Gahler duhet të nxis dialog e bashkëpunim për reflektimin e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor.

“Jam e bindur që zëdhënësi i PPE nuk ka aspak qëllimin të jetë fyes, por fatkeqësisht gjuha e tij është fyese. Nga ana tjetër, jam gjithashtu e bindur se zoti Gahler nuk e di që me ndryshimet kushtetuese, ne e kemi futur Shqipërinë në kornizën e botës së OSBE/ODHIR, ku asnjë vend nuk e ka formulën “Frankestein” të koalicioneve parazgjedhore që kishte Shqipëria deri dje. Ashtu siç jam e bindur se nëse ai do të gjykojë procesin dhe produktin e këtyre ndryshimeve, nuk do të jetë dot kaq i përputhur me Lulzim Bashën dhe pretendimet absurde të Partisë Demokratike. Së fundi, dëshiroj t’i them zëdhënësit të PPE, se Shqipëria është shumë e vogël për përçarjen e madhe politike, për të cilën sigurisht ai nuk ka asnjë faj, po të cilën ai s’ka pse e ushqen me deklarata si e sotmja. Me siguri nëse ai do të kishte pyetur edhe përfaqësuesit e vendeve mike të Shqipërisë këtu në vendin tonë, të cilët e kanë ndjekur nga afër procesin, nuk do të kishte folur si Lulzim Basha duke nxitur përçarje, po do të kishte folur si ata, duke nxitur dialog e bashkëpunim për reflektimin e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor. Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi për dialog gjithëpërfshirës, kështu që Lulzim Basha dhe Partia Demokratike, në vend se të kacavirren pas pasqyrave dhe shajnë e mallkojnë me një gjuhë që s’ka asnjë lidhje me vlerat e me etikën e PPE, duke abuzuar me deklaratën e zotit Gahler, janë të mirëpritur të na bashkohen në çdo kohë”, shkruan Spiropali.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet