Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Kryenin vjedhje në fshatrat greke afër Sarandës, policia vë në pranga tre persona

Livadhja, Sarandë

Finalizohet operacioni i përbashkët policor i koduar “Kamitsiani”, për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.

Operacioni policor i zhvilluar nga Policia Kufitare, Policia e Rendit dhe Policia Kufitare greke.

Vihen në pranga 3 shtetas të cilët dyshohet se kryenin vjedhje me armë në fshatrat greke dhe në zonën e Livadhjasë.

Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë dhe disa materiale që përdoreshin për të kryer vjedhjet.

Policia Kufitare Sarandë dhe Policia e Rendit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Kufitare greke, falë shkëmbimit të shpejtë të informacionit se në fshatin Kamitsiani të Greqisë ishte vjedhur një banesë nga disa shtetas shqiptar, të cilët dyshohet se e kryenin këtë veprimtari në mënyrë të përsëritur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kamitsiani”.

Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Rendit në Livadhja, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:

E. P., 30 vjeç, M. B., 33 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të tre me banim në Burrel.

Këta shtetas janë kapur nga Policia shqiptare në hyrje të Livadhjasë, në tentativë për t’u larguar nga fshatrat greke, duke përdorur një automjet për t’u futur në Shqipëri.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, shërbimet policore kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 laptop, dylbi, doreza duarsh dhe materiale të tjera që dyshohet se janë përdorur për të kryer vjedhjet.

Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer disa vjedhje të tjera në fshatrat përreth dhe Policia po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të tyre.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprat penale “Vjedhja”e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet