Situata nga COVID-19/ Fiskalizimi shtyhet sërish, nis në janar të 2021

Aktualitet
Situata nga COVID-19/ Fiskalizimi shtyhet sërish, nis në janar të

Procesi i zbatimit të sistemit të fiskalizimit, i cili pritej të fillonte gradualisht në shtator 2020 është shtyrë për në 2021. E parashikuar të niste më janar 2020, me kërkesë të bizneseve për shkak të kohës së paktë që kishin në dispozicion, fiskalizimi u shty për në mars 2020, ndërsa u shty sërish për shkak të pandemisë në 1 shtator 2020. Sot me vendim të qeverisë është shtyrë sërish për në 2021.

Fiskalizimi është një proces që do të ndryshonte tërësisht mënyrën se si bizneset e bëjnë procesin e faturimit dhe do i detyronte bizneset të përshtateshin me teknologjinë e re ku gjithçka të kalonte online.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas vendimit të qeverisë për transaksionet pa para në dorë, ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 janar 2021, ndërsa për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 korrik 2021.

Më 1 shtator 2021 fiskalizimi do të nis për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar.

V E N D I M PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.87/2019, “PËR FATURËN DHE SISTEMIN E MONITORIMIT TË QARKULLIMIT””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

P R O J E K T L I GJ PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.87/2019, “PËR FATURËN DHE SISTEMIN E MONITORIMIT TË QARKULLIMIT”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Pika 2, e nenit 48, të ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Përjashtimisht pikës 1, të këtij neni, në varësi të llojit të transaksionit, ky ligj i fillon efektet sipas grafikut të përcaktuar në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të kësaj pike.

a) Për transaksionet pa para në dorë, ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 janar 2021.

b) Për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 korrik 2021.

c) Për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 shtator 2021.”.

Neni 2

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

ME TE LEXUARAT