Ulet numri i rasteve të reja me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, humbin jetën 3 persona

Kosovë&Rajon
Ulet numri i rasteve të reja me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut,

Maqedonia e Veriut të hënën regjistroi tri viktima nga koronavirusi, 88 të infektuar të rinj dhe 123 të shëruar.

Shifrat e viktimave dhe të rasteve të reja, të cilat i referohen testimit të 973 mostrave, janë më të ulëtat në dy javët e fundit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në lidhje me viktimat e fundit, ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, tha se dy janë nga Shkupi dhe një nga qyteti i Shtipit.

Sipas tij, ato kanë qenë të moshës mbi 60 vjeç dhe me sëmundje tjera kronike.

Me këto viktima, numri i përgjithshëm i personave të vdekur nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut shkon në 385 – shumica prej tyre janë nga Shkupi, Struga, Tetova, Kumanova dhe Shtipi.

Sa u përket të të infektuarve të rinj, Shkupi është në vendin e parë me 30 raste të reja, Shtipi 13 dhe Struga 11. Numër më i vogël i të infektuarve është regjistruar në 13 qytete tjera.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, numri më i lartë nga 123 të shëruarit është shënuar në Shkup, 70 raste, dhe në Tetovë 31 raste.

Sipas të dhënave të publikuara, pas një periudhe të gjatë, numri i të shëruarve është më i lartë se i të infektuarve, përkatësisht nga 8,197 të regjistruar me koronavirus, të shëruar janë 4,326, ndërsa raste aktive janë 3,486.

Deri më tani, në Maqedoninë e Veriut janë kryer 78,133 teste.

Ministri i Shëndetësisë, Filipçe, në një postim në Facebook, njoftoi për përgatitjet e institucioneve shëndetësore për, siç tha, “valën e re të koronavirusit në vjeshtë”.

“Kryetarët e 16 komunave kanë mbështetur propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Komisionit për Sëmundje Infektive për hapjen e ‘qendrave të COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi]” në qytetet ku ekzistojnë tashmë spitalet e përgjithshme dhe qendrat shëndetësore. Qëllimi është të sigurojmë trajtim të duhur për pacientët pozitivë me COVID-19, pa rrezikuar funksionimin e rregullt të spitaleve dhe shëndetin e pacientëve të tjerë”, tha Filipçe, duke përsëritur thirrjen për respektimin e masave mbrojtëse nga koronavirusi.

ME TE LEXUARAT