Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Rishikimi i buxhetit, PD: Shpallja e falimentit të qeverisë së Edi Ramës, vulos varfërinë për shqiptarët

Për Partinë Demokratike, rishikimi i buxhetit vulos varfërinë për shqiptarët. Në një dalje për mediat nga selia blu, ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku thotë se ky është një akt i dorëzimit të qeverisë që zyrtarizon shkurtimin e mijëra vendeve të punës.

Sipas Tabakut, Edi Rama po bën të kundërtën e asaj që premtoi. Merr borxh për të paguar koncesionet korruptive dhe nuk rrit pagat, pensionet dhe nuk hap vende pune.

Deklarata e Jorida Tabakut
Vendimi i ri i qeverisë për të rishikuar buxhetin për herë të dytë brenda 6 muajve është shpallja e falimentit të qeverisë së Edi Ramës dhe dëshmi sesa keq ka qeverisur këto 7 vjet dhe sa shumë ka abuzuar dhe vjedhur taksat e qytetarëve.

Akti normativ i miratuar nga qeveria vulos rënien ekonomike të vendit, që sipas Bankës Botërore pritet të jetë me 9% të prodhimit kombëtar. Është akti që bën shqiptarët më të varfër, që zyrtarizon shkurtimin e mijëra vendeve të punës dhe që paralajmëron se në xhepat e qytetarëve do të ketë më pak të ardhura dhe më shumë borxhe.

Vetë qeveria pranon se mbledhja e të ardhurave nga tatimet, nga doganat, të ardhurat nga tatim fitimi, të ardhurat personale dhe nga TVSH, do të bien në mënyrë drastike, rreth 549 milionë euro.

Të tre këto grupe të ardhurash janë të lidhura ngushtësisht me sipërmarrjen, me punësimin dhe me konsumin e qytetarëve. Akti normativ tregon se këto tre elementë janë në kolaps.

Duke qenë se të ardhurat kanë rënë si pasojë e mosmbledhjes së tyre dhe shpenzimet janë rritur, defiçiti buxhetor pritet të jetë në rastin më të mirë 1 mld euro, por ka zëra brenda qeverisë që do të rritet edhe deri në 1.5 miliardë. Kjo do të thotë se qeveria do të vazhdojë të shkurtojë edhe më shumë krahun e shpenzimeve. Ky është një precedent i rrezikshëm, që ndodh në Shqipëri mbas 20 vitesh dhe që rrezikon financat publike.

Dy janë shtyllat kryesore të vendinit të qeverisë për rishikimin e buxhetit: nga një anë varfëron qytetarët. Nuk ka asnjë shpresë për rritje pagash, pensionesh, për shpërblime apo bonuse të tjera, nuk ka asnjë shans për një paketë që ndihmon vërtet biznesin për të mos falimentuar. Nga ana tjetër, qeveria do të vazhdojë të paguajë miliona euro për komcesionet dhe PPP-të, miliona euro për inceneratorët, miliona euro për tenderat pa garë.

Akti normativ provon përkeqësimin e gjendjes ekonomike, e cila ndikon në buxhetin e çdo familje shqiptare.

Është një Akt Dorëzimi i qeverisë tek rritja pa kufi e borxhit. Balancën mes dështimit për të mbledhur të ardhura dhe babëzisë për të përfituar deri në momentet e fundit para largimit, Edi Rama e ka gjetur duke marrë borxh pas borxhi.

Politikani që erdhi në pushtet duke mallkuar kundërshtarin për një borxh atëherë të kujdesshëm, sot ka vendosur të heqë kufirin ligjor të marrjes së borxhit, duke mos patur më asnjë kufizim në marrjen e tij.

Edhe për borxhin, Edi Rama po bën të kundërtën e asaj që premtoi. Mund ta ndiqni me zë dhe me figurë, çfarë u thoshte shqiptarëve 10 vjet më parë.

EDI RAMA: Njerëzit duhet ta dinë se në fund të vitit 2009 borxhi kapi 60% të prodhimit dhe pasurisë kombëtare të vendit. Të gjitha këto para, të marra borxh, nuk rëndojnë gjetkë, por drejtpërdrejt mbi çdo familje shqiptare. Nuk ka më zi për një popull se një qeveri që merr borxh për të larë borxhet.

Tani, që është në pushtet, me borxhet e marra, Edi Rama nuk rrit rroga, nuk rrit pensione, nuk hap vende pune, nuk ndihmon biznesin, nuk ul taksat. Me borxhet e marra ka bërë 500 milionë euro fasada me pllaka në qytete që sot përmbutrn me shiun e parë, paguan 120 milionë euro në vit koncesionet dhe inceneratorët.

Sipas përllogaritjeve të qeverisë, borxhi publik është 80% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, por borxhi real është shumë më i lartë. Ai shkon 11 miliardë euro ose 93% e prodhimit kombëtar, nëse qeberia do të përfshinte aty edhe borxhin e fshehur të PPP-ve.

Me Edi Ramën ka vetëm krizë ekonomike, ka vetëm varfëri. Në shtatë vjet shqiptarët janë rrjepur dhe vjedhur nga një qeveri e papërgjegjshme, e cila nuk ka investuar në shërbim të tyre, por ka shpërdoruar para për interesin personal.

Rezultati i kesaj politike kundër iinteresit publik është arka bosh e shtetit dhe mijëra shqiptarë që kanë humbur vendet e punës.Sot Edi Rama dhe qeveria e tij janë një rrezik kombëtar. Kanë nxjerrë në shitje çdo gjë për t’u pasuruar vetë dhe tani po marrin borxh të shfrenuar për të mbajtur në këmbë një pushtet të kalbur nga korrupsionit.

Zgjidhja është largimi i Edi Ramës dhe një qeveri që vendos të parin interesin e qytetarit. Na duhet një mënyrë e re e qeverisjes, që nxit konsumin përmes taksa e të ulëta dhe klimës miqësore me biznesin. Kjo është alternativa që Partia Demokratike u ofron shqiptarëve dhe së shpejti do ta bëjmë realitet.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet